TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet13 Tetor 2025, 16:33

“Revoltë” anti-betonizimit në Shkodër, edhe feja ngrihet kundër kullave!

Shkruar nga Pamfleti

“Revoltë” anti-betonizimit në Shkodër, edhe feja

Myftiu dhe Kreu i Kishës Ortodokse denoncojnë grabitje të organizuar me leje shtetërore...

Në zemër të qytetit të Shkodrës, pranë hotel “Rozafa”, ka nisur të hapet kantieri i një kulle 35-katëshe, kullë e cila ka revoltuar komunitetin vendas.

Komuniteti Mysliman dhe ai Ortodoks në Shkodër kanë shpërthyer publikisht kundër ndërtimit të kësaj godine, duke denoncuar një “grabitje të dytë” të pronave të tyre historike, këtë herë e bekuar nga shteti dhe e zbatuar nga oligarkët e ndërtimit.

Në një konferencë të përbashkët, Myftiu Muhamed Sytari dhe kreu i kishës ortodokse At Aleksandër Petani akuzuan qeverinë dhe institucionet e drejtësisë se kanë lejuar ndërtimin në një truall për të cilin ekzistojnë vendime gjyqësore në favor të komuniteteve fetare.

Sot në zemër të Shkodrës po ndodh një grabitje flagrante. Shembulli më i keq që jep shteti, i cili lejon të ndërtohet në pronë të grabitur. Ne kemi fituar gjyqe, kemi të gjitha letrat dhe paradoksalisht ndodhemi në këtë situatë. Komuniteti Mysliman i ka të gjitha instrumentat për të bërë çfarë nuk është bërë deri më sot”, deklaroi imami Sytari, duke shtuar se çdo formë reagimi do të përdoret, por gjithmonë brenda kuadrit ligjor.

Ai paralajmëroi se ky është një precedent i rrezikshëm dhe një goditje e rëndë ndaj të drejtës për pronë dhe besim. Sipas tij, kemi të bëjmë me “rigrabitje të pronës së ligjshme” që po lejohet nga shteti, ndërkohë që institucionet që duhet të zgjidhnin çështjen heshtin ose favorizojnë palë të interesuara.

Në të njëjtën linjë akuzash të forta ishte edhe At Aleksandër Petani, i cili theksoi: “Në vendet ku duam të hyjmë, në Bashkimin Evropian, tri ligjet e para janë liria, feja dhe prona. Këto po shkelën me këmbë dhe po grabiten.” Ai shtoi se komuniteti ortodoks është në gjyqe prej 35 vitesh dhe se Gjykata Kushtetuese ka dhënë vendim për kthimin e pronës, por pavarësisht kësaj, një kompani private ka nisur ndërtimin pa asnjë konsultim me palët që kanë fituar të drejtën me vendim gjykate. “Feja dhe prona po grabiten nga njerëz që nuk i njohim. Jemi lodhur. Kjo është dhunë institucionale me leje ndërtimi”, tha ai.

Kulla “Rofaza Tower”, që po ndërtohet nga kompania “Uldedaj Group”, është projektuar si godina më e lartë në qytetin historik të Shkodrës dhe simboli i radhës i “betonizimit” që ka shkaktuar reagime të forta që prej prezantimit të projektit. Qytetarët shkodranë kanë protestuar prej më shumë se një viti kundër lejes së ndërtimit, ndërsa tashmë edhe komunitetet fetare janë bashkuar në rezistencë të hapur.

3 Komente

    1. P
      Popull jo Dele

      Nuk jane bere protesta as per kete e as per ndonje kulle ne Tirane apo tjeterkund! Ne Korsike, populli i le te ndertohen dhe para inagurimit i hedh ne ere me dinamit. Korsikanet jane popull e jo dele, si shqiptaret qe kane 80 vjet qe shkaterrojne vendin e tyre…

      1. R
        Robert

        Shqiptaret flene gjume, popull kot, qe nuk reagon per asgje.

        Lini një Përgjigje