
Eksperti i Kriminalistikës, Ervin Karamuço, është shprehur se SPAK ndodhet në krye të listës së institucioneve më të besueshme për shqiptarët, edhe për shkak të efektit “Dumani”, drejtuesit të këtij institucioni, Altin Dumani.
Komentet Karamuço i bëri në emisionin “Barometri” në Euronews Albania, ku tha se janë edhe shumë faktorë të tjerë që e favorizojnë SPAK që të jetë në krye të institucioneve të besueshëm.
Ai shtoi se kur përmendet SPAK, qytetarët kanë parasysh përfaqësitë ndërkombëtare, duke menduar se çdo arrestim që bëhet, realizohet me shtysën e këtij faktori.
“Te ky blloku i parë, po ta shikoni SPAK e përfshin blloku i përfaqësive të huaja. Edhe në perceptimin publik sa herë flitet për një arrestim të bujshëm, te qytetarët pretendohet se ka një shtysë ndërkombëtare.
Pastaj shumë qytetarë kur u thua SPAK kanë parasysh vetëm prokurorinë, por sipas ligjit që është ndërtuar përfshin edhe GJKKO. Te besueshmëria është edhe efekti Dumani, i cili vërtet e gjeti të kompletuar deri diku, 17 prokurorë të posaçëm, janë 7 laboratore aktualisht, po bëhet godina e re e BKH aktualisht, njëkohësisht po konsolidohet. SPAK ka në vit rreth 700 dosje.
Pra rreth 40-41 çështje për prokuror. Por Prokurori i Juridiksionit të përgjithshëm ka 600 dosje në vit”, u shpreh Karamuço.
Matjet e reja të Barometrit në Euronews Albania, kanë zbuluar se sa i përket besueshmërisë së instritucioneve në vend, SPAK është në krye të listës, ndryshe nga matjet e një viti më parë.

1000 qytetarë të pyetur ballë për ballë nga Data Centrum, kanë zbuluar për Barometrin duke vlerësuar me një shkallë nga 0 në 10, se SPAK është për ta institucioni më i rëndësishëm menjëherë pas ambasadës amerikane, delegacionit të BE-së, dhe perfaqësisë së OSBE-së.
Nga gjetjet e Barometrit, SPAK kryeson listën e institucioneve më të besuara nga qytetarët, me 26.1 % të atyre që e kanë vlerësuar si të tillë.
Lini një Përgjigje