Marine Le Pen rikthehet në garën presidenciale të Francës për vitin 2027, por përballë saj qëndrojnë sfida të mëdha ligjore, politike dhe ekonomike që mund të përcaktojnë fatin e kandidaturës së saj.
Jordan Bardella e ka orientuar partinë franceze të së djathtës ekstreme, “Tubimi Kombëtar” (National Rally), në një drejtim të caktuar. Por sa do të arrijë Marine Le Pen ta rikthejë atë në kahun tjetër?
Saga ligjore disa mujore, e cila kërcënoi të rrëzonte ambiciet presidenciale të Marine Le Pen, përfundoi me një kthesë të papritur, duke i hapur rrugën për të garuar për herë të katërt për Pallatin Élysée.
Le Pen u dënua të martë me një vit arrest shtëpie, por ndalimi për kandidim u ul nga pesë vite në vetëm 15 muaj, duke filluar nga marsi i vitit 2025, çka e bën të mundur pjesëmarrjen e saj në zgjedhje.
Megjithatë, Le Pen deklaroi se do ta çojë çështjen në Gjykatën e Kasacionit të Francës për të kundërshtuar dënimin dhe për të shmangur detyrimin për të mbajtur një byzylyk elektronik gjatë fushatës.
“Francezët do të gjykojnë”, tha ajo teksa nisi fushatën e saj për zgjedhjet presidenciale të vitit 2027, duke premtuar se do të punojë fort me Jordan Bardella-n, të cilin e ka përcaktuar si kryeministrin e saj të ardhshëm nëse fiton zgjedhjet.
Këto janë katër pyetjet kryesore që shoqërojnë rikthimin politik të Le Pen dhe fushatën e saj të ardhshme presidenciale.
Cilat janë hapat e ardhshëm ligjorë?
Një nga sfidat kryesore për Le Pen është shmangia e një fushate elektorale nën kufizimet e vendosura nga një vendim gjykate.
Në parim, kur një vendim kundërshtohet në Gjykatën e Kasacionit, zbatimi i dënimit pezullohet. Kështu, duke apeluar vendimin e së martës, Le Pen mund të mbajë premtimin e saj se nuk do të bëjë fushatë me një byzylyk elektronik në këmbë.
Por ekziston një pengesë: Presidenti i gjykatës më të lartë të Francës ka deklaruar më herët se gjyqtarët do të përpiqen të japin një vendim përpara zgjedhjeve presidenciale.
Nëse ajo humbet edhe këtë apel përfundimtar, Le Pen mund të detyrohet të mbajë byzylykun elektronik gjatë fazës së fundit të garës.
Në këtë rast, Le Pen do të duhet të kërkojë kushte më të favorshme për arrestin e saj shtëpiak.
"Magjistratët përgjegjës për përcaktimin e këtyre kushteve mund t’i japin një hapësirë të gjerë kohore për aktivitetet e fushatës, por detyrimi është që ajo të jetë në shtëpi gjatë natës”, tha Eva Barouk, avokate penale në qytetin jugperëndimor të Bordosë.
Sa e fortë është ajo tani si kandidate?
Si kandidate, Le Pen hyn në garë nga një pozicion i fortë.
Një sondazh i kryer në qershor nga instituti francez Ifop tregoi se ajo do të renditej e para në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, me 32 për qind të votave.
Bardella, 30 vjeç, aleati i saj politik dhe personi që do të kishte qenë kandidati i “Tubimit Kombëtar” nëse Le Pen do të ishte përjashtuar nga gara, rezulton me një mbështetje pak më të lartë. Ai merr 36 për qind në raundin e parë.
“Marine Le Pen ka një njohje të madhe të emrit, por ajo duhet t’i bindë njerëzit për disa çështje”, tha një zyrtar i lartë i “Tubimit Kombëtar”, i cili kërkoi të mos identifikohej për të folur hapur mbi marrëdhënien mes dy figurave kryesore të partisë.
Një ndryshim i rëndësishëm lidhet me mënyrën se si dy liderët e së djathtës ekstreme perceptohen nga votuesit.
Ndërsa Le Pen është një figurë me përvojë në politikë, me një karrierë katër dekadëshe dhe tri kandidatura presidenciale, emri i saj vijon të jetë problematik për një pjesë të elektoratit, veçanërisht për brezin e vjetër që nuk ka harruar deklaratat antisemite dhe raciste të babait të saj.
Edhe qëndrimi i saj i mëparshëm për daljen nga Bashkimi Evropian, megjithëse është braktisur prej kohësh, si dhe perceptimi për dobësitë e saj në çështjet ekonomike, kanë larguar tradicionalisht një pjesë të votuesve të së djathtës klasike, të orientuar nga tregu i lirë, të cilët Bardella kishte tentuar t’i afronte përpara vendimit gjyqësor.
Kjo kategori votuesish mund të jetë vendimtare për fitoren në vitin 2027.
Për “Tubimin Kombëtar”, sigurimi i shumicës absolute të nevojshme për të fituar në raundin e dytë mund të kërkojë rritjen e mbështetjes te segmente të tilla si qendra e djathtë.
“Ata nuk do të bashkohen pas Marine Le Pen në të njëjtën mënyrë siç do të bashkoheshin pas Jordan Bardella-s”, tha Laure Salvaing, drejtoreshë e përgjithshme e kompanisë së sondazheve Verian.
A mund të rebelohet Bardella?
Avantazhi i Bardella-s në sondazhe ka ngritur pyetjen nëse lideri i ri mund të ndërmarrë një përpjekje për t’u shkëputur nga mentorja e tij politike.
Megjithatë, një skenar i tillë duket pak i mundshëm.
Edhe aleatët më besnikë të Le Pen, të cilët kanë kritikuar qëndrimet e Bardella-s në çështje të rëndësishme si reforma e pensioneve, i njohin atij meritën për besnikërinë ndaj lideres së partisë. Ai gjithashtu do të kishte mungesë mbështetjeje të mjaftueshme për një lëvizje të tillë.
Ndërsa Bardella ka drejtuar aktivitetin e partisë dhe është bërë fytyra e “Tubimit Kombëtar” në Bruksel, figurat kryesore pranë Le Pen mbajnë poste kyçe në strukturën e partisë dhe në Asamblenë Kombëtare, ku ajo drejton grupin prej 122 deputetësh të së djathtës ekstreme.
Ku do të përfundojë beteja për Evropën dhe ekonominë?
Marine Le Pen mund të jetë larguar nga qëndrimi historik i partisë për largimin nga eurozona, por ajo mbetet një kundërshtare e fortë e disa politikave të Bashkimit Evropian dhe mbështet një qasje përplasjeje ndaj Komisionit Evropian.
Ajo ndan me Bardella-n synimin për të ulur ndjeshëm kontributin e Francës në buxhetin e BE-së, të cilin disa muaj më parë e kritikoi duke e quajtur “absurd”. Të dy kundërshtojnë gjithashtu politikat e Bashkimit Evropian për emigracionin.
Le Pen ka deklaruar se, nëse zgjidhet presidente, do të kërkojë ndryshimin e Kushtetutës franceze për të vendosur përparësinë e ligjit francez mbi atë evropian, me synimin për të kufizuar ndjeshëm emigracionin. Një hap i tillë do ta vendoste atë përballë Këshillit Kushtetues të Francës dhe institucioneve të BE-së.
Në ekonomi, Le Pen mbështet një rol më të madh të shtetit dhe ndërhyrjen për mbrojtjen e industrive kombëtare.
Ajo kritikon rregullisht marrëveshjet e tregtisë së lirë, përfshirë paktin me vendet e bllokut latino-amerikan Mercosur, duke pretenduar se ato dëmtojnë interesat franceze.
Liderja e “Tubimit Kombëtar” kërkon forcimin e shtetit social francez, por synon të kufizojë aksesin e të huajve në disa përfitime sociale.
Ajo mbështet gjithashtu anulimin e reformës së pensioneve të Emmanuel Macron dhe rikthimin e moshës së daljes në pension nga 64 në 62 vjeç. Kjo çështje ka qenë një nga pikat kryesore të dobësisë së partisë në qarqet e biznesit, ku shumë e konsiderojnë programin ekonomik të saj jorealist.
Në përpjekje për të ndryshuar këtë perceptim, Bardella ka vënë së fundmi në diskutim këtë qëndrim. Le Pen ka treguar një gatishmëri të kufizuar për të ndryshuar disa pjesë të planit të saj për pensionet.
“Tubimi Kombëtar” pritet të prezantojë programin e tij politik në vjeshtë, duke lënë kohë për rregullime dhe ndryshime. Por si kandidate presidenciale, do të jetë Marine Le Pen ajo që do të ketë fjalën përfundimtare mbi çështjet që do të përcaktojnë fushatën e saj./ Përshtati "Pamfleti" nga "Politico".
Lini një Përgjigje