Këtë të diel po zhvillohet seanca për caktimin e masës së sigurisë për tre vajzat e dyshuara për dhunimin e 17-vjeçares në Fier. Për to, Prokuroria ka ngritur akuzën për veprën penale “Heqje e paligjshme e lirisë”.
Nëna e vajzës 15-vjeçare, për të cilën prokuroria ka kërkuar shtrim të përkohshëm në një institucion psikiatrik, ka deklaruar se nuk ka pasur më herët njohje me familjen e 17-vjeçares së dhunuar. Ajo ka thënë gjithashtu se nuk njihte as dy vajzat e tjera me të cilat e bija shoqërohej.
Sipas nënës, ajo ende nuk ka mundur të takohet me vajzën e saj, ndërsa shtoi se e mitura kishte shfaqur probleme të vazhdueshme, edhe në shkollë, dhe shpesh kthehej në banesë në orët e vona të natës.
“Nuk dimë asgjë për gjendjen e vajzës, ndaj jam shqetësuar shumë sepse nuk kam asnjë informacion për analiza apo të tilla. E kam takuar 2 herë vajzën në spital.
Vajza nuk kishte rroba të reja apo telefon, vetëm ato që i blinim ne. Kur vinte në shtëpi në orët e para të mëngjesit nuk më tregonte ku ishte, më thoshte isha me shoqe. Shoqet e vajzës nuk i njihja as prindërit e tyre. I njoha në polici.
Me prindërit e vajzës së rrahur nuk kam pasur fare kontakt. Ne kemi 1 vit që kemi shkuar në polici disa herë. Në shkollë vajza nisi të ketë shqetësime. Drejtoria e shkollës na nxorri jashtë ne si prindër dhe vajzën, na tha zhdukeni jashtë.
Psikologia qeshte me ne. Vajzën e çuam në një shkollë tjetër por ajo nuk pranonte. Vajza e ka denoncuar edhe babanë për dhunë. Unë kërkoj kurim të plotë për vajzën si dhe dua informacione për gjendjen e saj”, u shpreh ajo.
Ndërkohë, Prokuroria ka kërkuar masa të ndryshme sigurie për tre të dyshuarat: “Arrest me burg” për shtetasen L.L., “Arrest në shtëpi” për shtetasen e mitur K.G. dhe “Shtrim i përkohshëm në një institucion psikiatrik” për shtetasen e mitur në konflikt me ligjin M.R.
Të treja dyshohen për kryerjen e veprës penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, e parashikuar nga neni 110 i Kodit Penal, kryer në bashkëpunim.
Lini një Përgjigje