TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet14 Tetor 2025, 12:49

Rritje e vrasjeve dhe krimeve seksuale, Olsian Çela publikon raportin vjetor; cilat janë krimet me tendencën më të lartë

Shkruar nga Pamfleti

Rritje e vrasjeve dhe krimeve seksuale, Olsian Çela publikon raportin

Kryeprokurori Olsian Çela ka paraqitur raportin vjetor në Komisionin e Ligjeve, ndërsa ka dhënë alarmin për një rritje të kriminalitetit në vend në pothuajse të gjitha veprat penale, nga vrasjet te krimet seksuale dhe që vijojnë me një tendencë në rritje për krimet që kanë të bëjnë me pastrimin e parave dhe falsifikimin e tyre…

Olsian Çela, Prokurori i Përgjithshëm, raportoi para Komisionit parlamentar të Ligjeve, lidhur me veprimtarinë e strukturës që drejton përgjatë një viti.

Çela e konsideroi vitin 2024, ashtu si edhe paraardhësi, si mjaft kompleks për prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm për shkak të vijimit të punës me një numër të ulët të prokurorëve si pasojë e procesit të rivlerësimit kalimtar.

Në vijim të raportimit, Çela ka vlerësuar bashkëpunimin mes strukturave hetimore, policisë, SPAK-ut si dhe intensifikimin e përmirësimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërkombëtar, si një rol kyç, lidhur me zbatimin dhe përmirësimin e drejtësisë penale.

Bazuar në raportin e Prokurorit të Përgjithshëm, Prokuroria e Tiranës, ka pasur 35.5% të numrit total të procedimeve të regjistruara në shkallë vendi, duke mbajtur edhe ngarkesën më të madhe në raport me prokurotë e rretheve.

Çela tha se gjatë vitit 2024, në organin e prokurorisë janë trajtuar 61167 materiale që përbën një rritje prej 10,52 % në krahasim me vitin 2023. Sipas raportit, janë ndjekur gjithsej 47576 procedime penale, që përbëjnë një rritje prej 4,79 % në krahasim me vitin 2023, nga të cilat: 24956 janë procedime penale të regjistruara, 22441 janë procedime penale të mbartura dhe 179 janë procedime penale të rifilluara.

Koeficienti i kriminalitetit për procedimet penale të regjistruara, për 100,000 banorë në vitin 2024 është 1037, ndërsa në vitin 2023 koeficienti i kriminalitetit ka qenë 872.

Në vitin 2024, përqindjen më të ulët të kriminalitetit për 100.000 banorë e ka qarku Berat, ndërsa përqindjen më të lartë e ka Saranda.

Sa i përket tendencave të kriminalitetit, procedimet për veprat penale kundër pastrimit të parave, tregojnë rritjen më të lartë prej gati 59 %, ato për falsifikim të monedhave dhe letrave me vlerë 48 %, krimet në fushën e doganave afër 40 % si dhe veprat penale në lidhje me veprimtaritë bankare dhe financiare mbi 33 %.

Ndërkohë ka një rritje të procedimeve të regjistruara edhe për krimet kundër jetës të kryera me dashje me 21,72 %, për veprat kundër lirisë së personit 30,59 %, për krimet seksuale gati 30%, për veprat penale kundër moralit dhe dinjitetit pothuaj 29 %, për veprat penale kundër fëmijëve, martesës dhe familjes rreth 18 %. Rritja e numrit të procedimeve në këto fusha, dikton nevojën për ndërhyrje të koordinuara për forcimin e mekanizmave ligjorë dhe socialë të parandalimit, si dhe nevojën për të garantuar mbrojtjen efektive të kategorive vulnerabël të shoqërisë.

“Një tendencë shqetësuese rritjeje është konstatuar tek krimet me dashje kundër jetës. Koeficienti i kriminalitetit për 100,000 banorë për këto grupvepra në vitin 2024 është 14,7, ndërsa në vitin 2023 ka qenë 10,5. Numri më i lartë i procedimeve të regjistruara për krime kundër jetës të kryera me dashje është në Tiranë, regjistruar përkatësisht rreth 30 % e totalit, Korçë 12 %, Durrës 10 %, Fier dhe Lezhë 8 %, Elbasan 6%, Vlorë 5%, ndërsa vërehet se numri më i ulët i procedimeve të regjistruara është në Dibër, me rreth 1 %.

Ka një rritje të ndjeshme të vrasjeve me dashje. Pesha specifike që zë kjo vepër penale në grupin e veprave penale “Krime kundër jetës të kryera me dashje” për vitin 2024 është 12,46 %, ndërsa në vitin 2023 ka qenë 4,83 %. Në vitin 2024 janë regjistruar 44 procedime për këtë vepër, që përbëjnë një rritje prej 3,14 herë krahasuar me 14 procedime të regjistruara në vitin 2023”, thuhet në raportin e Prokurorisë së Përgjithshme.

Sipas raportit, tendencë të fortë rritje ka pasur edhe vepra penale e “vrasjes me paramendim”, pasi janë regjistruar 31 procedime penale që krahasuar me 15 procedime të regjistruara në vitin 2023, që përbën një rritje prej 2 herë.

Lidhur me luftën ndaj krimit të organizuar, në raportin e paraqitur nga Kryeprokurori thuhet se në kuadrin e hetimit dhe ushtrimit të ndjekjes penale për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” sipas nenit 287 të Kodit Penal si dhe në zbatim të nenit 36 të Kodit Penal dhe neneve 274 dhe/ose 210, 190 e vijues të Kodit të Procedurës Penale dhe në zbatim të ligjit nr. 10192/2009, pas kërkesave të prokurorëve gjykata ka vendosur konfiskimin e pasurive/aseteve kriminale në total, në kuadrin e 14 çështjeve dhe sekuestrime pasurie/asete kriminale në kuadrin e 35 çështjeve.

“Nga një analizë e kryer mbi të dhënat e përcjella nga prokuroritë dhe Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara gjatë vitit 2024, rezultojnë mbi 234 pasuri të sekuestruara në total me vlerë të përcaktuar mbi 290 milion lekë dhe 48 milion euro, ndër të cilat 125 pasuri tokë truall/arë dhe ndërtime me sipërfaqe mbi 314,679 m² dhe vlerë mbi 280 milion lekë dhe 37 milion euro, 62 pasuri të luajtshme rreth 1 milion euro dhe 67 llogari bankare mbi 10 milion euro.

Treguesit e konfiskimeve gjatë vitit 2024, dëshmojnë për mbi 89 pasuri të konfiskuara, me vlerë mbi 163 milion lekë, ndër të cilat 79 pasuri tokë truall/arë dhe ndërtime me sipërfaqe mbi 20,542 m² dhe vlerë mbi 90 milion lekë, 3 pasuri të luajtshme, 4 llogari bankare, 1 shoqëri tregtare, 1 titull pronësie dhe para kesh”, thuhet në raport. /Pamfleti/

Lini një Përgjigje