Aktualitet13 Nëntor 2023, 12:29

Mori 3.3 mln lekë ryshfet, SPAK kërkon 4 vite burg për ish-sekretaren e Ministrisë së Shëndetësisë, Joana Duro

Shkruar nga Pamfleti
Mori 3.3 mln lekë ryshfet, SPAK kërkon 4 vite burg për
Joana Duro

Për ish-Sekretaren e Përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë Joana Duro, prokuroria e Posaçme ka kërkuar 4 vjet heqje lirie nën akuzën e korrupsionit pasiv.

Sipas SPAK, Joana Duro, mori ryshfet 330 mijë lekë për të favorizuar kompaninë 'DRICONS’ për të fituar tenderin. Duro ndodhet në burg që prej 5 qershorit 2023, ndërsa GJKKO nuk ka pranuar që t’i lehtësojë masën. Ajo akuzohet për veprën penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë”.

Ndërsa për specialisten e nivelit të lartë, Laura Shteto SPAK ka kërkuar 1 vit e 6 muaj burgim. Vladimir Topi, administratori i kompanisë “Dricons” rrezikon 2 vjet burgim, nëse gjykata merr parasysh kërkesën e prokurorit, Dritan Prençi.

Për inxhinierin, Silvi Shehi, organi i Posaçëm i akuzës ka kërkuar 1 vit e 6 muaj burgim. Të tre të pandehurit e tjerë akuzohen për korrupsion aktiv.

Duro u arrestua bashkë me Sheton më 2 qershor 2023, pasi dyshohet se sekretarja e Shëndetësisë mori ryshfet 330 mijë lekë për të favorizuar kompaninë  'DRICONS’ në një tender të hapur nga Ministria për supervizimin për rikonstruksionin e qendrave shëndetësore në Tiranë dhe Durrës. Në agjencinë e prokurimit publik shihet se përkundër vlerës prej 805.872.23 lekë të vendosur si fond limit nga ministria për tenderin, kompania fituese ka ofruar 672.457.60 lekë. 

Skema e korrupsionit

Vladimir Topi dhe inxhinierin Silvi Shehi dyshohet se janë personat që ndërhynë duke i dhënë Joana Duros, 330 mijë lekë ryshfet që ajo të ndikonte për t’i shpallur fitues në tenderin për rikonstruktimin e qendrave shëndetësore. Fituesi i tenderit me fond limit 805 mijë lekë është shpallur në 1 qershor, ndërsa SPAK ka ndërhyrë në datën 2 qershor teksa u dha ryshfeti.

Prokuroria e Posaçme thotë se pas hetimeve, rezulton se ka qenë Vladimir Topi, i cili i ka dhënë Duros 330 mijë lekët që ta favorizonte në tenderin e hapur nga Ministria e Shëndetësisë. Sa i takon, inixhinerit të kompanisë, Silvi Shehi, ai ka marrë shumën prej 330 mijë lekë dhe ia ka dërguar Laura Shtetos, specialiste e Nivelit të Lartë në Agjencinë e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara.

Shteto dhe inixhinieri i kompanisë 'DRICONS’ kanë bërë lidhjen mes sekretares së Shëndetësisë dhe administratorit Vladimir Topi.  Shteto pasi ka marrë lekët nga inxhinieri i kompanisë 'DRICONS’, ia ka dërguar sekretares së përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë. 

spak joana duro