Aktualitet11 Dhjetor 2023, 21:09

Saga e përplasjeve për “vulën”, grupet e PD-së përballen më 27 dhjetor në Gjykatën e Lartë

Shkruar nga Pamfleti

Saga e përplasjeve për “vulën”, grupet e PD-së

Saga e përplasjeve për ‘vulën’ e Partisë Demokratike vazhdon ende mes grupeve të së djathtës, me seancën gjyqësore që pritet të mbahet më 27 dhjetor në Gjykatën e Lartë.

Gjykata pritet të shprehet për rekursin që grupimi i ish-kryeministrit Sali Berisha ka depozituar për vendimin e 3 marsit, ku Apeli i Përgjithshëm ktheu në shkallë te parë çështjen e logos dhe vulës.

Në një njoftim nga ky institucion bëhet me dije se  trupa gjykuese që do të shqyrtojë kërkesën e bërë nga Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit, përbëhet nga Artur Kalaja, Ervin Pupe dhe Darjel Sina.

Kujtojmë se në mars të këtij viti Gjykata e Apelit vendosin rrëzimin e vendimit të gjyqtarit Agron Zhukri dhe kthimin e çështjes për shqyrtim në shkallë të parë me trupë tjetër gjykuese.

Ndërkohë më parë gjyqtari Agron Zhukri kishte njohur Kuvendin e Berishës të 11 dhjetorit 2021 si legjitim, ndërsa Enkelejd Alibeaj, në atë kohë kryetar i komanduar i PD-së, ankimoi vendimin.

Nga ana tjetër, Gjykata e Tiranës rreth një muaj më parë vendosi  pezullimin e çështjes për shqyrtimin e kërkesës së Lulzim Bashës për miratimin e Kuvendit Kombëtar të 2 Shtatorit, duke pranuar kërkesën e grupit të deputetëve të drejtuar nga Gazment Bardhi.

Gjyqtari Niko Rapi ka konstatuar se pa u zgjidhur konflikti që është në Gjykatën e Lartë mbi Kuvendin Kombëtar të 11 Dhjetorit, nuk mund të zhvillohet dhe të konsiderohet i vlefshëm asnjë Kuvend Kombëtar i mbajtur më pas apo Statut i ndryshuar.

Në këtë mënyrë Statuti i dalë më 2 Shtator, përmes të cilit Lulzim Basha u caktua edhe Kryetar i Grupit Parlamentar nuk është njohur ende nga gjykata.

Grupi i deputetëve të mandatuar nga Këshilli Kombëtar i thirrur nga Sekretari i Përgjithshëm i PD Gazment Bardhi kërkoi nga gjykata pezullimin e çështjes, kërkesë që është pranuar nga Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë.

pd vula