TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet15 Nëntor 2024, 13:52

Shiti sekretet shtetërore dhe strehoi ‘kokat’ e krimit, Jurgis Çyrbja mohon 'bëmat' para SPAK: S’kam përdorur SKY ECC

Shkruar nga Pamfleti
Shiti sekretet shtetërore dhe strehoi ‘kokat’ e krimit, Jurgis
Jurgis Çyrbja

SPAK thotë se në të paktën 7 raste, Çyrbja është vënë në dijeni në lidhje me të dhëna që konsideroheshin si sekret shtetëror dhe ia ka përcjellë atë kokave të krimit.

Ish-deputeti socialist Jurgis Çyrbja është marrë ditën e sotme në pyetje nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Në dëshminë e tij para SPAK, Çyrbja është pyetur lidhur me akuzat që rëndojnë ndaj tij, përfshirë korrupsionin në zgjedhje, zbulimin e sekretit shtetëror dhe përkrahjen e autorëve të krimeve.

Sipas hetimeve të prokurorisë, Çyrbja është akuzuar për ndikimin e mundshëm të botës së krimit në fushatën zgjedhore, duke i siguruar një vend të sigurt në listat e Partisë Socialiste për deputet.

Çyrbja ka mohuar akuzat para prokurorëve dhe ka pretenduar se ka sqaruar çdo episod për të cilin prokuroria e akuzon.

'S’kam pasur kurrë aplikacion Sky Ecc, nuk jam unë që flas me ata njerëz.', mësohet të ketë thënë ish deputeti në gjyq.

Sipas SPAK, ish-deputeti është futur në listën e sigurt të PS-së përmes ndikimeve të krimit të organizuar, dhe më pas ka favorizuar Altin Hajrin,  një person i shumëkërkuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës dhe anëtarë të grupit kriminal Farruku.

SPAK thotë se të paktën në shtatë raste është provuar bashkëpunimi i tij me bandat, përmes aplikacionit të dekoduar, SKY ECC.

Një ndër personat që ligjvënësi socialist jo vetëm paralajmëroi, por edhe strehoi, ishte Altin Hajri, që drejtësia e kishte vënë në kërkim për rrëmbimin dhe zhdukjen e të ndjerit Jan Prenga.

Në këmbim ai mori mbështetje në vota kur kandidonte për deputet në Qarkun e Durrësit në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.

Çyrbja, thotë prokuroria, ishte angazhuar personalisht për të vënë në dijeni personat në kërkim, përmes ndërhyrjeve në agjenci të ndryshme të ligjzbatimit në vend, por edhe përmes kunatit të vëllait të tij, Ahmet Masha.

Edhe ky i fundit përfundoi në pranga në 20 tetor, ndërsa Gjykata vendosi t’i linte të dy në burg, ndërsa u shpall në kërkim për të dytën herë edhe Altin Hajri. Nga kontrollet e ushtruata janë sekuestruar, pesë telefona celularë; një hard disk i jashtëm; një pajisje regjistrimi në formë pakete, 1,100 euro dhe dokumente pronësie.

Ndaj tyre rëndojnë tre akuza, korrupsion aktiv e pasiv, tregimi i sekretit shtetëror dhe përkrahja e autorit të krimit.

jurgis Çyrbja spak

Lini një Përgjigje