Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, është ndalur këtë të martë përpara vilës së kryeministrit Edi Rama në Surrel, duke vënë në pikëpyetje vlerën e deklaruar të pronës në formularin e pasurisë së kreut të qeverisë.
Shehaj tha se vendosi të shkojë pranë banesës së Ramës pasi, sipas tij, kryeministri dhe mediat pranë tij janë marrë me vilën që ai shiti në Itali për rreth 15 milionë euro, ndërsa askush nuk flet për pronën e deklaruar nga Rama.
Sipas kreut të Partisë Mundësia, vila në Surrel përbëhet nga katër godina dhe mbi 1000 metra katrorë ndërtim, ndërsa vlera e deklaruar prej rreth 400 mijë eurosh nuk qëndron.
“Po shikoj vilën e Edi Ramës. Se pasi u mor me vilën time, thashë: ‘Ore, kjo vila e Edi Ramës që ka deklaruar 400 mijë euro vlerë, ja ku e keni deklaratën e pasurisë së Edi Ramës’, thashë ta shikoj njëherë. Tani ka 4 godina, mbi 1000 m² ndërtim dhe thotë ka kushtuar mbi 400 mijë euro. Mediat dhe propaganda e Edi Ramës nuk merren me këtë vilën, që është një vilë e ndërtuar me para të pista, me paratë e korrupsionit. Por merren me vilën time prej 15 milionë euro”, deklaroi Shehaj.
Ai shtoi se pasuria e tij është e deklaruar dhe se nuk ka asgjë për të fshehur, pasi, sipas tij, është krijuar nga puna ndër vite.
“Unë kam shitur një vilë prej pothuajse 500 m², në Forte dei Marmi, një nga zonat më të shtrenjta të Italisë. Kur vjen dikush dhe thotë të vërtetën, sepse s'kam pse t'i fsheh, sepse janë paratë që kam fituar me punë dhe me sakrifica në vite, atëherë duhet të më sulmoni mua. Po nuk thatë që unë gënjej, ngjan shumë keq ky tjetri me 400 mijë euro vilë, 4 godina mbi 1000 m². Atij vetëm kondicionimi do t'i ketë shkuar më shumë se 400 mijë euro. Ky thotë: ‘Jo, e kam bërë të gjithën me 400 mijë euro’. Çmenduri, kjo është tallje”, u shpreh ai.
Në fund, Shehaj e lidhi këtë çështje edhe me protestat që po zhvillohen prej javësh në Tiranë.
“Dhe habiteni pastaj pse dalin njerëzit në bulevard prej një muaj e gjysmë dhe kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës. Po normale, se ju ka ardhur në majë të hundës. Nuk mund të vazhdoni t'i gënjeni. Ju ka ardhur fundi! Do largoheni, nuk keni çfarë të bëni!”, përfundoi Shehaj.
Lini një Përgjigje