Aktualitet 7 Shkurt 2024, 16:03

Shkroi vetë letrën kërcënuese dhe akuzoi kolegun, KLGJ-ja pezullon gjyqtaren Arnisa Këlliçi!

Shkruar nga Pamfleti

Shkroi vetë letrën kërcënuese dhe akuzoi kolegun, KLGJ-ja

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka pezulluar nga detyra me votim unanim gjyqtaren Arnisa Këlliçi, pasi kjo e fundit u mor e pandehur nga Prokuroria e Tiranës ditën e sotme.

Prokuroria njoftoi se Këlliçi është marrë e pandehur për kallëzim të rremë dhe falsifikim dokumentesh lidhur me një kërcënim të drejtuar ndaj saj, që më pas rezultoi se ishte shkruar nga ajo vetë.

Sipas organit hetues, letra kërcënuese është shkruar nga vetë Këlliçi, thuhet në rezultatin e ardhur pas hetimeve paraprake dhe shqyrtimit të gjithë të dhënave. Pas përfundimit të hetimeve nga prokuroria, KLGJ-ja ka vendosur që të shkarkojë gjyqtaren, Arnisa Këlliçi. 

"Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, ka regjistruar Procedimin Penal, nr.552 të vitit 2024, për veprën penale të “Kanosje e Gjyqtarit” parashikuar nga neni 317 i Kodit Penal, me kallëzuese Gjyqtaren A. K.

Në datën 20.01.2024 në orën 23:10 min, në Komisaritin e Policisë nr 3, Tiranë është paraqitur dhe ka bërë kallëzim penal gjyqtarja A. K., e cila ushtron funksionin e saj pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, dhoma penale.

Gjyqtarja ka pretenduar se në zyrën e saj, e cila ndodhet në katin e tretë, zyra nr 321, ka konstatuar se i ka ardhur një letër me anë të postës, me tekst, “E dashur gjyqtare A….., keni dy fëmijë, D…… dhe R…….. Mendoni për ta se mund të rroni ju e jo ata dhe kjo është e rëndë. Me respekt!”.

Ndër të tjera, kallëzuesja ka shpjeguar se në datën 20.01.2024 rreth orës 11:00, ka shkuar në zyrë pasi kishte një seancë gjyqësore, me objekt, shuarje mase sigurimi. Në momentin që ka hyrë në zyrën e saj, në tavolinën e saj të punës mbi dosje, ka gjetur një zarf dhe brenda tij ishte letra e cituar më sipër, të cilën pasi e ka lexuar, e ka futur në kasafortë. Për këtë letër nuk ka asnjë të dhënë tjetër apo dyshime, por është ndjerë e trembur, sepse janë perdorur emrat e fëmijëve të saj.

Në funksion të hetimeve paraprake për sa është kallzuar, nga ana e organit të prokurorisë janë kryer hetime intensive me qëllim sigurimin e provave të ngutshme sikurse administrimi i pamjeve filmike pranë gjykatës, marrja në pyetje e personave, marrja e modeleve të lira dhe eksperimetale, kqyrje dhe sekuestrime pranë institucioneve si dhe kryerja e ekspertimeve dhe në përfundim është arritur në konkluzionin, referuar rrethanave dhe aktit të ekspertimit grafik, se letra objekt hetimi, është shkruar nga vetë kallëzuesja shtetasja A. K.

Në këto kushte, nga ana e organit të prokurorisë është çmuar, se ka prova që krijojnë dyshim e arsyeshëm  për t’i atribuuar kësaj shtetaseje veprën penale të “Kallëzimit të rreme” parashikuar nga neni 305 i Kodit Penal, duke proceduar me marrjen si të pandehur për këtë vepër penale.

Gjithashtu, po në kuadër të hetimeve të këtij procedimi penal, është administruar pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor, kërkesa për mbrojtje e datës 20.01.2024, dërguar nga gjyqtarja A. K, duke vënë në lëvizje këtë institucion, i cili në datën 22.01.2024, ka vendosur, ruajtjen fizike të magjistrates A. K. dhe familjes së saj, për një periudhe 3-mujore", thuhej në njoftimin e Prokurorisë. 

Kujtojmë se më 20 janar 2024, Këlliçi bëri kallëzim se ishte kërcënuar me jetë përmes një letre anonime, e cila më pas iu drejtua me kërkesë për mbrojtje Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Në njoftimin e Prokurorisë thuhej se gjyqtarja, e cila ushtron funksionin e saj pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka pretenduar se në zyrën e saj, ka konstatuar se i ka ardhur një letër me anë të postës, me tekst, “E dashur gjyqtare A….., keni dy fëmijë, D…… dhe R…….. Mendoni për ta se mund të rroni ju e jo ata dhe kjo është e rëndë. Me respekt!”.

Këlliçi kishte depozituar kallëzim edhe në Policinë e Tiranës,e cila menjëherë mori masa duke vënë nën mbrojtej, gjyqtaren Këlliçi, familjen dhe banesën e saj.

klgj