Një nga pasagjeret që i mbijetoi aksidentit të rëndë të autobusit në hyrje të Tiranës ka rrëfyer momentet dramatike të udhëtimit. Ajo tregon se kishte vënë re sjellje të pazakonta të drejtuesit të mjetit pak para se autobusi të dilte nga rruga dhe të përmbysej.
Debora, e cila jeton në Shtetet e Bashkuara dhe kishte ardhur në Shqipëri për pushime, tha se ishte nisur drejt Tiranës pasi të nesërmen do të kthehej në SHBA. Sipas saj, gjendja e shoferit i kishte tërhequr vëmendjen gjatë udhëtimit.
“Rrugës pashë shoferin që bënte lëvizje, rrotullohej, nuk ishte mirë. Po shkruaja në telefon kur autobusi u përmbys", tregoi e mbijetuara.
Ajo rrëfeu gjithashtu se pasagjerët që ndodheshin në anën e majtë të autobusit pësuan dëmtimet më të rënda, ndërsa vetë shpëtoi pa lëndime pasi ishte ulur në anën e djathtë.
“Ata që ishin ulur në anën e majtë të mjetit morën dëmtime shumë të rënda. Shoferin e pashë që vdiq. Dëmtime të rënda mori edhe djali i ulur pas tij dhe një vajzë. Unë isha ulur në anën e djathtë dhe nuk u lëndova”, u shpreh Debora.
Rrethanat e plota të aksidentit mbeten nën hetim, ndërsa autoritetet po punojnë për të përcaktuar shkakun e ngjarjes.
"Po shikoja poshtë dhe më pas ngrita kokën. Ndjeva autobusin që po dilte nga rruga. Kur ngrita sytë, gjithçka ndodhi brenda pak sekondash. Papritur autobusi u përmbys në krah dhe njerëzit nisën të bërtisnin. Gjaku po më pikonte, sepse unë isha në anën e poshtme.
Fillimisht kontrollova nëse isha mirë, pastaj dola jashtë. Pas meje po dilte edhe një person tjetër dhe ne dolëm nga pjesa e pasme e autobusit. Njerëzit ishin të gjakosur, bërtisnin. Menjëherë erdhën për të ndihmuar njerëzit nga ndërtesa aty pranë. Ndaluan edhe makinat. Shqiptarët janë njerëz të mrekullueshëm, më sollën ujë. Kjo ishte e gjitha. Unë pata shumë, shumë fat. Falë Zotit.
Po. Ishte edhe një djalë nga Kolumbia, në Amerikën e Jugut, dhe unë jam nga Shtetet e Bashkuara. Për të tjerët nuk e di, por besoj se do të... Arrita të marr të gjitha sendet e mia, gjithçka. Edhe kjo fotografi i mbijetoi aksidentit. Ishte e pabesueshme. Kush do ta kishte menduar?
Gjatë gjithë rrugës ai lëvizte paksa në mënyrë të paqëndrueshme. Mendova se ndoshta ishte normale për autobusin, por nuk e di.
Isha ulur në anën e djathtë, në sediljen e dytë. Mu duk se personat që u plagosën më rëndë ishin në anën e majtë të autobusit. Edhe i riu nga Kolumbia ishte në anën e djathtë. Shoferi humbi jetën. Ata që ishin në anën e majtë duket se pësuan plagë të rënda.
Deri në këtë moment ishte e mrekullueshme. Shqipëria është një vend i mrekullueshëm. Më pëlqeu shumë. Fatkeqësisht, ky aksident është ajo që do të më mbetet në kujtesë. Por nuk ishte faji i askujt. Ishte thjesht një nga ato ngjarje që ndodhin", deklaroi turistja amerikane.
Lini një Përgjigje