TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 8 Korrik 2026, 20:20

"Shqipëria ka lekë, por është e vjedhur", mesazhi i fortë nga dita e 39 e protestës

Shkruar nga Pamfleti
"Shqipëria ka lekë, por është e vjedhur", mesazhi
Vijon tubimi

Në podiumin e ngritur përpara Kryeministrisë, në ditën e 39 të protestës qytetare, aktivisti Ilir Xhemalaj mbajti një fjalim të fortë, ku akuzoi qeverinë se ka humbur kontaktin me hallet reale të shqiptarëve, ndërsa shpenzon fondet e emergjencës për aktivitete që, sipas tij, nuk janë prioritet i vendit.

Ai e vuri theksin te varfëria, emigracioni dhe vështirësitë me të cilat përballen çdo ditë familjet shqiptare, duke e cilësuar të pajustifikueshëm përdorimin e fondeve publike për koncertin e Kanye West.

"Fondi rezervë është krijuar për emergjencat e qytetarëve. Më thoni, a ka emergjencë më të madhe se një nënë që nuk ushqen dot fëmijën e saj? Apo një i ri që detyrohet të largohet nga vendi për bukën e gojës? Apo një pensionist që duhet të zgjedhë mes bukës me djathë dhe ilaçeve të tij? Këtu lind pyetja, çfarë po i bën ky kryeministër këtij populli? Shqipëria kudo kërkon ndihmë, është derdhur në shesh!", tha Xhemalaj.

Sipas tij, protesta nuk është kundër muzikës apo organizimit të eventeve, por kundër mënyrës se si përdoren paratë e qytetarëve, ndërsa problemet sociale mbeten të pazgjidhura.

"Kryeministri zgjedh të marrë lekët e emergjencave dhe t'i japë për spektakël! Nuk duam të dimë sa ka kushtuar spektakli, por sa ka kushtuar humbja e shpresës së këtij brezi! Shteti është shtet kur asnjë nënë nuk qan për bukën e fëmijëve të saj, kur të rinjtë nuk braktisin vendin e tyre! Ne nuk protestojmë kundër muzikës, por për gjendjen ku ndodhet vendi! Kundër një pushteti që vjedh taksat tona për muzikë! Shqipëria ka lekë, por është e vjedhur!", u shpreh ai.

Në fund të fjalës së tij, Xhemalaj deklaroi se prioriteti i një qeverie duhet të jetë mirëqenia e qytetarëve dhe jo organizimi i spektakleve, ndërsa i bëri thirrje kryeministrit të largohet nga detyra.

"Prioritet i vendit tonë është që këta të rinj të mos largohen, që pensionistët të dalin të shijojnë jetën si çdo pensionist në botë. Kryeministër, jep dorëheqjen, sepse nuk përfaqëson më këtë popull! Rama, jep dorëheqjen!", përfundoi Xhemalaj mes duartrokitjeve të protestuesve.

xhemalaj

Lini një Përgjigje