
Protestës masive kundër qeverisë dhe projektit në Zvërnec nuk iu bashkuan vetëm qytetarë nga Shqipëria, por edhe turistë të huaj e emigrantë shqiptarë të ardhur nga jashtë vendit.
Një turist zviceran, i cili viziton Shqipërinë prej 15 vitesh, u shpreh se kishte vendosur të mbështeste protestuesit pasi kishte njohur nga afër bukuritë natyrore të vendit, përfshirë Zvërnecin dhe Prespën. Ai theksoi se zhvillimi ekonomik dhe mbrojtja e natyrës nuk duhet të jenë në kundërshtim me njëra-tjetrën.
“Në Zvicër kemi mësuar se zhvillimi dhe natyra duhet të ecin dorë për dore. Shpresoj që qytetarët të kenë mundësinë të shprehin mendimin e tyre dhe që çdo vendim të merret në përputhje me ligjin”, tha ai, duke shtuar se Shqipëria mbetet një nga vendet e tij të preferuara.
Nga ana tjetër, protestës iu bashkua edhe Iliri, një emigrant prej 23 vitesh në Londër, i cili u bëri thirrje shqiptarëve të diasporës të mbështesin reagimin qytetar.
“Sot Shqipëria na do këtu, përkrah jush. Atë që nuk bëmë dot atëherë, ta bëjmë sot dhe të jemi me ju për Shqipërinë dhe shqiptarët”, deklaroi ai.
Emigranti nga Londra kërkoi gjithashtu largimin e klasës politike që, sipas tij, ka dëmtuar vendin ndër vite, ndërsa theksoi se protestat duhet të vazhdojnë deri në arritjen e qëllimeve të tyre.
“Unë vij nga Londra, një emigrant prej 23 vitesh, i larguar nga qeveria. Sot Shqipëria na do këtu, përkrah jush, në mbështetjen tuaj! Atë që nuk bëmë dot atëherë, ta bëjmë sot dhe të jemi me ju, për Shqipërinë dhe shqiptarët! Boll më! Rama dhe Berisha duhet të shkojnë në burg dhe t’i japin përgjigje këtij populli! Kjo protestë nuk ka fund derisa ky të largohet!”, shtoi Iliri.
Protestës para Kryeministrisë iu bashkuan edhe emigrantë shqiptarë të ardhur nga Britania e Madhe, të cilët bënë thirrje për një angazhim më të madh të diasporës në zhvillimet politike dhe shoqërore në vend.
Gjatë tubimit, një prej pjesëmarrëseve deklaroi se dhjetëra shqiptarë që jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar janë nisur drejt Shqipërisë për t’iu bashkuar protestës. Në mesazhin e saj, emigrantja theksoi se ndryshimi duhet të nisë nga mënyra e të menduarit dhe komunikimit, duke bërë thirrje për një qasje të re qytetare.
“Ashtu si perla që e ka brenda guaskën, ashtu jeni ju. 2 çartera dhe 50 makina po vinë nga Londra. Ata do të marshojnë nga Rinasi deri këtu në sheshin para Kryeministrisë. Si e mendojmë ne Shqipërinë e re? Ajo nis nga mendimi i ri, nga fjala e re, jo nga ofendimet dhe mallkimet”, tha ajo.
Ndërkohë, një tjetër emigrant shqiptar, i cili jeton prej 28 vitesh në Londër, u bëri thirrje bashkëkombësve që jetojnë jashtë vendit të kthehen dhe të mbështesin protestën.
“Vij nga Londra sot. Prej 28 vitesh jetoj në Londër. Shkaku i largimit është për shkak të kësaj qeverie. Sot i bëj thirrje emigrantëve. Shqipëria na do sot këtu. Të jemi këtu për Shqipërinë dhe shqiptarët. Rama dhe Berisha të ikin në burg, dhe t’i japim atë që meritojnë shqiptarëve. Kjo protestë nuk e ka fundin deri sa të largohet ky këtu!”, tha ai.
Emigranti u shpreh kritik ndaj klasës politike shqiptare dhe kërkoi që protestat të vijojnë deri në arritjen e objektivave të tyre.
Prania e turistëve dhe emigrantëve në protestë tregon se kauza ka tejkaluar kufijtë lokalë, duke tërhequr vëmendjen dhe mbështetjen e shqiptarëve jashtë vendit, por edhe të vizitorëve të huaj që kanë zgjedhur Shqipërinë si destinacion.
Lini një Përgjigje