TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet12 Gusht 2025, 08:18

Shqipëria në luftë me flakët! Në "Syrin e Kaltër" ende vatra aktive, situatë kritike në Fushë Arrëz; evakuohen banorët

Shkruar nga Pamfleti

Ditën e djeshme u bë evakuimi i vizitorëve nga parku natyror. Qarkullimi Muzinë-Sarandë u mbyll pasi flakët gjigande zbritën deri në rrugë. Problematike u paraqit situata edhe në segmentin Bistricë-Muzinë.

Shqipëria në luftë me flakët! Në "Syrin e
Shqipëria në luftë me flakët!

Shqipëria është nën pushtetin e flakëve në disa zona të vendit nga veriu në jug, teksa qeveria nga ka kapacitet të plotë që bëjë të mundur shuarjen e zjarreve.

Zjarri që ra në zonën e Syrit të Kaltër në Sarandë, ku pasditen e djeshme mori përmasa të mëdha, ka vijuar edhe gjatë natës. Në fshatin Pecë, vatra e zjarrit është fikur gjatë natës. Prej orëve të para të mëngjesit në Syrin e Kaltër po operojnë 1 avion Canadair dhe 1 helikopter.

Ditën e djeshme u bë evakuimi i vizitorëve nga parku natyror. Qarkullimi Muzinë-Sarandë u mbyll pasi flakët gjigande zbritën deri në rrugë. Problematike u paraqit situata edhe në segmentin Bistricë-Muzinë.

Zjarri mbetet aktiv edhe prane fshatit Pecë, në perëndim të Syrit të Kaltër, ndërsa janë fikur gjatë natës vatrat në fshatrat Ninat dhe Janjar, bashkia Konispol.

Ndërkohë, shqetësim vazhdon të përbëjë edhe vatra e zjarrit në Xath të Fushë Arrëzit që ra ditën e djeshme. Banorët në Xath dhe Flet vijojnë të jenë të evakuuar. Rreth 35 hektarë pyje janë përfshirë nga flakët, ndërkohë që pritet ndërhyrja nga ajri. Tymi i dendur ka ‘mbuluar’ qytetin e Pukës, 40 km larg vatrës së zjarrit.

Situata e rëndë ishte edhe në Finiq, ku prej disa ditësh flakët po kalojnë nga njëri fshat në tjetrin. Në fshatin Leshnicë e Poshtme të Finiqit u dogjën disa banesa. Edhe në Poliçan të Beratit zjarri mori përmasa të mëdha në mal. 

Situata sipas qarqeve:

Ministria e Mbrojtjes bën me dije gjatë orëve të fundit janë evidentuar 30 vatra zjarri aktive në disa qarqe të vendit, ku ndërhyrja vijon me mjete tokësore dhe ajrore, por në shumë zona puna vështirësohet nga terreni i thyer dhe erërat e forta.

Në Qarkun Vlorë, situata është më e rënduar në Bashkinë Finiq, ku zjarri ka kaluar në fshatin Krane, pranë Syrit të Kaltër, duke rrezikuar fshatrat Krongj dhe Leshnicë e Poshtme. Në operacione janë angazhuar 3 mjete zjarrfikëse me 12 efektivë të MZSH Finiq, forca të ushtrisë dhe grupi i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, të mbështetur nga 2 avionë PZL grekë, një helikopter çek, një sllovak dhe një helikopter i Forcës Ajrore.

Në Parkun “Rëzom”, në majën e “Lucës” (njësia Vergo), terreni i thyer e bën të pamundur ndërhyrjen tokësore, ndërsa në Himarë, flakët kanë përfshirë pyjet me pisha në fshatrat Bolenë dhe Tërbaç. Zjarre aktive raportohen edhe në fshatrat Lukovë dhe Ninat (Bashkia Konispol).

Në Qarkun Lezhë, po monitorohen vatrat e izoluara në fshatin Malaj i Epërm (Bashkia Mirditë) dhe në fshatin Kolsh (Bashkia Lezhë), ku po punohet me mjete zjarrfikëse nga të dy bashkitë.

Në Qarkun Dibër, ndërhyrjet vazhdojnë në malin e Allushit (Bashkia Klos), malin e Kovashicës (Bashkia Bulqizë) dhe fshatin Kabe (Bashkia Dibër).

Në Qarkun Berat, flakët në Bashkinë Poliçan kanë kaluar pranë ujësjellësit dhe banesave, duke shkaktuar evakuime në fshatrat Plirëz dhe Rehovë. Një banesë dykatëshe është përfshirë nga zjarri. Në Backë (Skrapar) punohet për mbrojtjen e banesave.

Në Qarkun Tiranë, zjarri në malin e Bërzhitës po shuhet me forca tokësore dhe mbështetje ajrore. Në zonën e Arbanës, flakët kanë marrë përmasa të mëdha, ndërsa në Bashkinë Kavajë po punohet në fshatrat Peqinaj e Hajdaraj me mbështetje nga avioni Canadair kroat.

Në Qarkun Durrës, flakët në malin e Krujës dhe fshatin Barkanesh po mbahen nën kontroll të pjesshëm, megjithë terrenin e vështirë.

Në Qarkun Gjirokastër, zjarri në fshatin Lekël të Tepelenës po përhapet në dy drejtime, drejt fshatit Hormovë dhe faqes së malit Golikut.

Në Qarkun Elbasan, zjarre aktive raportohen në fshatrat Mukaj e Sojnik (Bashkia Gramsh), në Cërrik dhe në fshatin Hotolisht (Bashkia Librazhd).

Në Qarkun Shkodër, zjarret në Kodërboks, fshatin Stajkë (Vau i Dejës), qytetin e Pukës dhe fshatin Xath (Fushë Arrëz) po detyrojnë evakuime.

Në Qarkun Kukës, vatra në fshatin Gegaj (Tropojë) është nën kontroll.

Në ndihmë të operacioneve të shuarjes së zjarreve janë angazhuar avionë dhe helikopterë të Forcës Ajrore shqiptare, si edhe mjete ajrore nga Kroacia, Greqia, Republika Çeke, Sllovakia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Autoritetet paralajmërojnë se për shkak të temperaturave të larta rreziku për zjarre mbetet i lartë dhe kërkohet kujdes maksimal nga qytetarët.

shqipëria në luftë me flakët!

Lini një Përgjigje