TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet24 Korrik 2026, 23:01

Nurellari kritikon Ramën: Nuk ishte dita për të folur për "Besën", por për përgjegjësi dhe llogaridhënie

Shkruar nga Pamfleti
Nurellari kritikon Ramën: Nuk ishte dita për të folur për
Edi Rama

Politologu Adri Nurellari ka kritikuar fjalimin e kryeministrit Edi Rama gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, duke thënë se kreu i qeverisë humbi mundësinë për të bërë vetëreflektim dhe për të marrë përgjegjësi për situatën e krijuar.

I ftuar në emisionin "ÇdoKënd" në A2 CNN, Nurellari u shpreh se qytetarët nuk prisnin slogane të reja politike, por përgjigje konkrete dhe llogaridhënie.

"Njerëzit do donin që Rama sot t'u fliste për përgjegjësi. Nuk donin një komunikim të zakonshëm elektoral me slogane dhe parrulla, por donin vetëreflektim. Kërkonin llogaridhënie, jo justifikime. Sot kemi krizën më të madhe të besimit ndaj kësaj qeverie dhe pikërisht vendos të përdorë fjalën 'Besë'. Ai duhet të fliste për përgjegjësi dhe llogaridhënie", tha Adri Nurellari.

Sipas politologut, fjalimi i kryeministrit nisi si një përpjekje për të ulur tensionet e krijuara nga protestat, por përfundoi duke përsëritur të njëjtën qasje politike që, sipas tij, qytetarët kanë dëgjuar prej vitesh.

"Fjalimi nisi si një përpjekje për të zbutur protestuesit dhe përfundoi me Ramën e zakonshëm. Rama duket që nuk merr asnjë përgjegjësi, nuk bën reflektim, nuk bën autokritikë dhe nuk bën përpjekjen më të vogël për të kuptuar zërin e qytetarëve. Ai thjesht bën një manovër për të shmangur këtë situatë dhe mendon se do ta bëjë me slogane, me këto nisma, me fjalë boshe dhe kjo është për të ardhur keq", u shpreh ai.

Nurellari tha se qytetarët që kanë dalë në protestë nuk mund të binden me mesazhe të tilla politike, duke argumentuar se shoqëria shqiptare ka ndryshuar.

"Njerëzit në protestë nuk gënjehen me këto truke të dala boje. Po flasim për breza të rinj, që jetojnë pa komplekse, janë të mirinformuar dhe i dinë standardet e politikanëve europianë", përfundoi Adri Nurellari.

rama nurellari

Lini një Përgjigje