TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet16 Prill 2026, 16:02

Shqipëria nxin në raportet ndërkombëtare: Korrupsion, afera me tenderët, presione ndaj drejtësisë dhe fshehje pasurie

Shkruar nga Pamfleti
Shqipëria nxin në raportet ndërkombëtare: Korrupsion, afera
Foto ilustruese

Shqipëria nën lupë: Korrupsioni dhe presioni politik vijojnë të minojnë shtetin e së drejtës…

Raporti i fundit i Transparency International për vitin 2025 evidenton se Shqipëria vazhdon të përballet me probleme të thella në funksionimin e shtetit të së drejtës, ku përparimet e izoluara nuk arrijnë të kompensojnë dobësitë strukturore në disa sektorë kyç.

Një nga treguesit kryesorë mbetet niveli i korrupsionit, ku vendi renditet me 42 pikë nga 100 në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit, duke reflektuar një situatë që konsiderohet ende problematike në raport me standardet ndërkombëtare.

Ndër shqetësimet më të mëdha të evidentuara në raport është mungesa e transparencës në menaxhimin e fondeve publike. Procedurat e prokurimeve publike vazhdojnë të karakterizohen nga mungesë publikimi të planeve dhe përdorim i shpeshtë i procedurave të negociuara, duke rritur rrezikun për favorizime dhe abuzime. Në të njëjtën linjë, raporti nënvizon edhe përdorimin e fondeve shtetërore gjatë fushatave elektorale, një praktikë që mbetet shqetësuese për integritetin e proceseve zgjedhore.

Shqipëria nxin në raportet ndërkombëtare: Korrupsion, afera
Raporti i i Transparency International

Një tjetër problematikë thelbësore lidhet me ndërhyrjen politike në sistemin e drejtësisë. Sipas raportit, pavarësia e institucioneve gjyqësore vijon të cenohet nga presioni i drejtpërdrejtë apo i tërthortë i aktorëve politikë, veçanërisht në çështje të ndjeshme korrupsioni. Kjo situatë ilustrohet edhe nga nisma ligjore të fundit që synojnë të kufizojnë pezullimin e zyrtarëve të lartë gjatë hetimeve, të cilat janë interpretuar si përpjekje për të dobësuar mekanizmat e llogaridhënies.

Megjithëse SPAK përmendet si një nga institucionet me progres më të dukshëm, duke ndërtuar një rekord më të qëndrueshëm në hetimin e korrupsionit në nivele të larta, raporti thekson se pjesa tjetër e sistemit mbetet e dobët. Bashkëpunimi institucional është i kufizuar, numri i referimeve për hetim është i ulët, ndërsa prokuroria e përgjithshme dhe policia nuk arrijnë të njëjtin nivel eficience. Veçanërisht, policia konsiderohet ende shumë e ekspozuar ndaj korrupsionit.

Problemet e transparencës shfaqen edhe në mekanizmat e kontrollit të pasurisë. Edhe pse deklaratat e pasurisë verifikohen, ato nuk publikohen në mënyrë të plotë dhe aksesohen vetëm me kërkesë, ndërsa vetëm një pjesë e vogël është bërë publike online. Kjo kufizon ndjeshëm mundësinë për kontroll publik dhe rrit dyshimet për mungesë llogaridhënieje.

Në planin ligjor, raporti evidenton mangësi të vazhdueshme në rregullimin e konfliktit të interesit, lobimit dhe financimit të partive politike. Legjislacioni në këto fusha mbetet i paplotë dhe nën standardet e Bashkimit Europian, ndërsa mungesa e transparencës në kontaktet me lobistët dhe raportimi i kufizuar i konflikteve të interesit përforcojnë këtë problematikë.

Media përbën një tjetër pikë kritike. Sipas raportit, tregu mediatik në Shqipëri është shumë i përqendruar në pak kompani të lidhura me interesa politike dhe ekonomike. Mungesa e transparencës mbi pronësinë dhe financimin, si dhe përdorimi i reklamave shtetërore pa rregulla të qarta, ndikojnë negativisht në pavarësinë editoriale dhe pluralizmin.

Gjithashtu, evidentohet një rritje e ndjeshme e sulmeve ndaj gazetarëve, duke reflektuar një klimë gjithnjë e më të vështirë për ushtrimin e lirë të profesionit.

Raporti ngre shqetësime edhe për efikasitetin e sistemit gjyqësor, ku proceset e emërimeve dhe promovimeve janë të ngadalta, mungojnë burimet njerëzore dhe sistemi elektronik i menaxhimit të çështjeve nuk është plotësisht funksional. Këto faktorë ndikojnë drejtpërdrejt në zvarritjen e proceseve dhe uljen e besimit të publikut.

Në të njëjtën kohë, shoqëria civile përballet me presion në rritje, përfshirë fushata denigruese dhe mungesë mbështetjeje institucionale, ndërsa mungesa e një strategjie të re kombëtare dhe reduktimi i fondeve rrezikojnë funksionimin e saj afatgjatë.

Në tërësi, raporti konkludon se Shqipëria ka bërë përparime të pjesshme, por problemet sistemike në transparencë, drejtësi dhe funksionimin e institucioneve mbeten pengesa kryesore për forcimin e shtetit të së drejtës dhe avancimin në procesin e integrimit europian.

Pikat kyçe nga raporti

-Shqipëria renditet me 42/100 në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit, duke mbetur në nivele problematike globale

-Korrupsioni mbetet i përhapur, me progres të kufizuar në shumicën e fushave dhe mungesë efektiviteti në zbatim të strategjive

-SPAK ka bërë progres të dukshëm, por është i mbingarkuar dhe i ekspozuar ndaj presioneve politike

-Institucionet e tjera (prokuroria, policia) kanë performancë të dobët dhe kontribuojnë pak në luftën kundër korrupsionit

-Ndikimi politik mbi drejtësinë mbetet një nga problemet më serioze, sidomos në çështje të nivelit të lartë

-Prokurimet publike karakterizohen nga mungesë transparence, me rrezik për favorizime dhe abuzime

-Përdorimi i fondeve shtetërore në fushata elektorale mbetet shqetësim i vazhdueshëm

-Deklaratat e pasurisë nuk publikohen plotësisht, duke kufizuar kontrollin publik (vetëm rreth 10% të publikuara)

-Kuadri ligjor për konfliktin e interesit, lobimin dhe financimin e partive mbetet i paplotë dhe nën standardet e BE-së

-Numri i sinjalizuesve mbetet i ulët, duke treguar mungesë besimi në mekanizmat mbrojtës

-Media është shumë e përqendruar në pak kompani, me lidhje me politikën dhe biznesin

-Mungon transparenca mbi pronësinë dhe financimin e mediave, duke cenuar pluralizmin dhe pavarësinë

-Sulmet ndaj gazetarëve janë rritur ndjeshëm, duke përkeqësuar klimën e lirisë së medias

-Sistemi gjyqësor vuan nga mungesë eficience, me procese të ngadalta dhe burime të pamjaftueshme

-Shoqëria civile përballet me presion dhe mungesë mbështetjeje, ndërsa financimet janë në rënie

-Politika e vizave nuk është ende e harmonizuar me BE-në, duke mbetur një tjetër pengesë në procesin e integrimit. /Pamfleti

 

korrupsion raport

Dokumenta bashkëngjitur

Lini një Përgjigje