TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet16 Prill 2026, 15:00

UPDATE/ Edicioni i lajmeve kryesore nga kronika e zezë, ora 15:00

Shkruar nga Pamfleti

UPDATE/ Edicioni i lajmeve kryesore nga kronika e zezë, ora 15:00

Ju ftojmë të ndiqni një bllok lajmesh me zhvillimet kryesore nga kronika e zezë, ku ndër të tjera veçojmë:

SPAK ka nisur zyrtarisht komunikimin e akuzave për dosjen IPARD, një nga hetimet më të ndjeshme për abuzimin me fondet e BE-së. I pari që është thirrur është Reni Ashiku, ndërsa mbetet ende e paqartë nëse në vijim do të përfshihet edhe Frida Krifca, një nga emrat më të përfolur në këtë çështje.

Ndërkohë, për dosjes e ''21 Janarit 2011'', familjarët vijojnë të kërkojnë drejtësi. Mark Nika ka dalë me akuza të forta ndaj SPAK, duke pretenduar mungesë vullneti për hetim dhe duke kërkuar ndërhyrjen e Kuvendit për të shtyrë përpara zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Një tjetër goditje e rëndësishme lidhet me rrjetin e call center-ave në Tiranë, ku Prokuroria ka zbardhur një skemë mashtrimi që dyshohet se ka zhvatur mbi 50 milionë euro nga qytetarë të Bashkimit Europian. Hetimet, të zhvilluara në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, vijojnë për të identifikuar të gjithë zinxhirin e përfshirë.

Në të njëjtën linjë goditjeje ndaj krimit financiar dhe të organizuar, SPAK ka sekuestruar pasuritë e Jetmir Pepa, i cili dyshohet se ka ndërtuar një rrjet të gjerë pastrimi parash përmes bizneseve në ndërtim, energji dhe turizëm, ndërsa rezulton përfitues i dhjetëra milionë eurove në tenderë publikë.

Në fushën e sigurisë, tre persona janë lënë në burg për rrëmbimin e një biznesmeni, ndërsa ata kanë refuzuar të flasin në gjykatë, duke lënë në fuqi vetëm pretendimin e mbrojtjes për një konflikt borxhi.

Ndërkohë, hetimet për zjarrin që shkatërroi një pallat 12-katësh në Tiranë kanë marrë një kthesë, pasi pamjet filmike tregojnë se flakët dyshohet të jenë shkaktuar nga pakujdesia e disa të miturve.

Në jug të vendit, Himarë, Prokuroria e Vlorës ka mbyllur hetimet për ndërtimet pa leje në zonën e “Kodrës së Rrapojve”, duke çuar në gjyq 7 persona, mes tyre edhe ish-zyrtarë të IMT-së.

Në procesin Plumbi i Artë, i pandehuri Asllan Plaku ka denoncuar kushtet e transferimit dhe mungesën e dosjes hetimore, duke pretenduar se i cenohet e drejta për mbrojtje.

Policia ka arrestuar edhe dy persona në Kamëz për plagosje të rëndë, ndërsa hetimet për ngjarjen vijojnë.

Ngjarje tragjike është shënuar në Malishevë, ku një shpërthim gazi në një banesë i mori jetën babait dhe dy fëmijëve të tij, duke tronditur opinionin publik.

Një 29-vjeçar shqiptar, Nasi Hodo, është arrestuar në Belgjikë dhe pritet të ekstradohet në Shqipëri për të vuajtur dënimin per vrasje.

Në Itali, është konfirmuar dënimi me 30 vite burg për Elona Kalesha, ndërsa detaje tronditëse kanë dalë edhe për vrasjen e Miklovan Dakajt, ku trupi i tij ishte fshehur në një rezervuar me blloqe betoni.

Së fundi, një operacion i madh ndërkombëtar ka goditur një kartel droge në Mal te Zi, i konsideruar si një nga ndërhyrjet më të forta kundër krimit të organizuar në rajon në vitet e fundit.



Lini një Përgjigje