TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 4 Korrik 2026, 16:00

Shqipëria përballet me valën e të nxehtit, mjekët: Kujdes nga goditja në tru

Shkruar nga Pamfleti

Shqipëria përballet me valën e të nxehtit, mjekët:

Vala e të nxehtit që ka përfshirë Europën po ndihet fort edhe në Shqipëri. Në Tiranë, temperaturat e larta kanë vështirësuar jetën e përditshme të qytetarëve, të cilët përpiqen të mbrohen nga dielli me shishe uji, çadra apo duke kërkuar hije në çdo cep të mundshëm.

Megjithatë, jo të gjithë kanë mundësi t'u shmangen orëve më të nxehta të ditës. Punonjësit e ndërtimit vijojnë punën në kantieret e ndërtimit, ndërsa pastruesit e rrugëve, efektivët e policisë rrugore dhe punonjësit e kioskave përballen çdo ditë me temperaturat përvëluese.

Mes tyre është edhe 33-vjeçarja filipinase Ladymay Dela Penap, e cila punon edhe gjatë orëve të pikut të vapës.

"A është vapë aty brenda? Po është shumë. Por unë jam përshtatur të them të drejtën. Edhe me këto temperatura", thotë Ladymay Dela Penap.

Mjekët paralajmërojnë se temperaturat ekstreme paraqesin rrezik të shtuar për fëmijët e vegjël, të moshuarit mbi 65 vjeç dhe personat që vuajnë nga sëmundje kronike. Sipas tyre, ekspozimi i zgjatur në diell mund të shkaktojë komplikacione serioze.

"Rastet më ekstreme përfshijnë goditjet në tru, sidomos te fëmijët e vegjël dhe personat mbi 65 vjeç. Kohët e fundit këto probleme po i shohim edhe në mosha të tjera, të ndikuara nga stresi dhe sëmundjet kronike, të cilat rëndohen nga temperaturat e larta", shprehet Leonard Hasanaj, mjek familjeje në Poliklinikën Nr. 10.

Mjeku këshillon gjithashtu kujdes edhe në përdorimin e kondicionerit, për të shmangur ndryshimet e menjëhershme të temperaturës.

"Temperatura nuk rekomandohet të vendoset më poshtë se 23 gradë Celsius, për të shmangur kontrastin e fortë me temperaturën jashtë", shton ai për "Report Tv".

Për të reduktuar rrezikun nga temperaturat e larta, specialistët rekomandojnë shmangien e ekspozimit në diell gjatë orëve të pikut, konsumimin e sasive të mjaftueshme të ujit, frutave dhe perimeve, si edhe qëndrimin në ambiente të freskëta sa herë që është e mundur.

Lini një Përgjigje