TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet20 Qershor 2026, 09:44

Shqipëria po paguan çmimin e suksesit turistik

Shkruar nga Pamfleti
Shqipëria po paguan çmimin e suksesit turistik
Burimet termale

Rritja e shpejtë e turizmit ka sjellë zhvillim ekonomik dhe më shumë vizitorë, por ajo po ushtron presion mbi peizazhin, identitetin dhe autenticitetin e disa prej destinacioneve më të njohura të vendit...

Herën e parë që vizitova Shqipërinë ishte në vitin 2008. Në atë kohë, shumë rrugë ishin ende të amortizuara dhe shpesh të paasfaltuara, ndërsa udhëtimi kishte më shumë karakter eksplorues. Komoditetet ishin të pakta. Në kishat e afreskuara mund të hyje lirshëm, ndërsa burimet termale të Bënjës mbeteshin një sekret i njohur vetëm nga pak njerëz. Vendet më interesante nuk i shfaqeshin menjëherë vizitorit; duhej t’i kërkoje vetë. Shqipëria nuk ishte një parajsë e humbur. Ishte një vend më i varfër, më i brishtë dhe me më shumë probleme infrastrukturore, por që të befasonte me zbulime të papritura.

Sot, turizmi është rritur ndjeshëm dhe ka sjellë me vete idenë se çdo destinacion duhet të bëhet menjëherë i aksesueshëm dhe i shfrytëzueshëm në maksimum. Riviera Shqiptare është shembulli më i dukshëm. Zona bregdetare që dikur tërhiqnin vëmendjen për bukurinë e tyre të egër, nga Palasa në Dhërmi e deri në Drymades dhe më në jug, janë futur në një proces komercializimi të peizazhit.

Problemi nuk qëndron te numri në rritje i turistëve, por te modeli i zhvillimit që është zgjedhur për t’i pritur ata. Ndërtimet gjithnjë e më të mëdha, presioni urbanistik, shërbimet që nuk përputhen me ndjeshmërinë e mjedisit dhe uniformizimi gradual i përvojës turistike përbëjnë shqetësimet kryesore.

Megjithatë, debati nuk kufizohet vetëm te bregdeti. Edhe qytetet historike si Berati dhe Gjirokastra po përballen me pasojat e mbingarkesës turistike. Në këto raste nuk bëhet fjalë për betonizim të hapur, si në zonat bregdetare, por për një proces që, sipas autorit, zbut karakterin origjinal të vendeve.

Qendrat historike restaurohen dhe mirëmbahen, gjë që në vetvete është pozitive, por shpesh me synimin për t’i bërë ato më tërheqëse për vizitorët. Në disa raste duket sikur kemi të bëjmë më shumë me një proces “zbukurimi” sesa me ruajtje autentike të trashëgimisë. Hapësirat e reja tregtare ngjajnë me njëra-tjetrën, menutë përshtaten sipas shijeve të turistëve, ndërsa dyqanet fokusohen kryesisht te suveniret. Bukuria mbetet, por elementi i papritur që dikur karakterizonte këto vende bëhet gjithnjë e më i rrallë.

Problematike mbetet edhe mënyra se si rrjetet sociale paraqesin destinacionet turistike. Fotot publikohen nga kënde të zgjedhura me kujdes, duke lënë jashtë kornizës elementet më pak tërheqëse. Shfaqen ujërat e kristalta të një destinacioni, por jo parkingjet e mbushura me automjete. Promovohet një shtëpi tradicionale prej guri, por jo dendësia e aktiviteteve tregtare që e rrethojnë.

Autori thekson se nuk kërkon një rikthim te Shqipëria e vështirë e së kaluarës vetëm për hir të nostalgjisë. Megjithatë, ai ngre pyetjen nëse shndërrimi i vendeve që kërkojnë mbrojtje, si burimet termale të Bënjës apo segmente të caktuara të bregdetit, në hapësira që premtojnë çdo lloj komoditeti është e vetmja mënyrë për të tërhequr turistë.

Sipas tij, kjo qasje mund të sjellë rezultate të shpejta në aspektin e numrit të vizitorëve, por në planin afatgjatë rrezikon të gërryejë identitetin që e ka bërë Shqipërinë një destinacion të veçantë. Në fund, autori përdor një krahasim provokues: a do të ishte e pranueshme të ndërtohej një pistë kartingu pranë Koloseut? /Përshtatur nga LonelyPlanet/

 

turizmi shqiperia cmimi

2 Komente

  1. T
    Truth

    Lonely Planet ne fakt qe nga emri ka te beje me turiste qe duan te shkojne ne vende qe nuk shkelin shume te tjere. Turiste te lire me canta shpine te rinj qe udhetojne me buxhete te uleta. Ata jane te paret ne destinacione pak te rrahura dhe ndihmojne ne zbulimin e tyre. Por nuk ka asnje destinacion ne bote qe te qendroje i paprekur sepse keshtubduan turiatat qe vijne me canta shpine e buke me vehte. Keshtuqe artikulli me duket shume i percipte. Per nje gje jemi te gjithe te ndergjegjshem e ska nevoje te na e mesoje autori: Qe komercializimi duhet te behet me maturi dhe i qendrueshem qe ti shtoje vlere destinacionit ne vend qe t'ja ule ate.

    1. N
      Noc troku...

      Këti bëhet fjalë për katastrofë njerëzore kombëtare....ju thoni ambienti....

      Lini një Përgjigje