TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet20 Qershor 2026, 19:13

Si kurrë më parë, megaprotestë kundër kastës politike; diaspora mbështetje të jashtëzakonshme

Shkruar nga Pamfleti
Si kurrë më parë, megaprotestë kundër kastës
Megaprotestë në Tiranë

Në protestën e 21-të kundër qeverisë, pjesëmarrësit kërkuan largimin e Edi Ramës, por njëkohësisht hodhën poshtë edhe klasën e vjetër politike. Mes thirrjeve më të forta ishin "Shqipëri e Re", "Rama në burg" dhe "Berisha në burg".

Pamje të pazakonta në kryeqytet. Mijëra protestues kanë mbushur të gjithë bulevardin nga Sheshi "Skënderbej" deri pranë Kryeministrisë, në atë që konsiderohet si protesta më e madhe që nga nisja e lëvizjes 21 ditë më parë.

Një lumë njerëzish ka pushtuar këtë mbrëmje qendrën e Tiranës, duke krijuar një nga protestat më të mëdha të viteve të fundit. Bulevardi "Dëshmorët e Kombit" është mbushur nga njëri skaj në tjetrin me protestues të ardhur nga e gjithë Shqipëria, por edhe nga diaspora, në një mobilizim që organizatorët dhe pjesëmarrësit e konsiderojnë historik.

Flamuj kuqezi, pankarta, simbole kombëtare dhe thirrje kundër qeverisë kanë dominuar atmosferën, ndërsa mijëra qytetarë kanë marshuar drejt Kryeministrisë në ditën e 21-të të protestave që nisën pas zhvillimeve në Zvërnec dhe që tashmë janë kthyer në një lëvizje kundër qeverisë dhe klasës politike.

Pjesëmarrja e diasporës ka qenë një nga elementët më të spikatur të protestës së sotme. Mijëra shqiptarë të ardhur nga vende të ndryshme të Europës iu bashkuan turmës, duke e kthyer bulevardin në një det flamujsh kuqezi.

Si kurrë më parë, megaprotestë kundër kastës

Mes thirrjeve që dominuan protestën ishin "Rama ik", "Rama jep dorëheqjen", "Rama në burg", "Berisha në burg", "Shqipëri e Re" dhe "Ju erdhi fundi".

Një prej protestueseve tha se lëvizja nuk synon vetëm largimin e Edi Ramës, por kërkon një ndryshim rrënjësor të klasës politike.

"Shqipëria e Re, pika e parë që ne duam është që ti të mos jesh pjesë e saj. Duam një Shqipëri të re, me njerëz jo hajdutë si ju. Duam një Shqipëri të re, me shqiptarë që e duan Shqipërinë dhe që do punojnë për popullin dhe jo për xhepat e tyre. Këtë nuk e negociojmë me kryeministrin", tha ajo.

Sipas protestueses, mesazhi i qytetarëve është i qartë dhe nuk kursen as qeverinë dhe as opozitën tradicionale.

"Qytetarët kanë një kërkesë të thjeshtë: Rama në burg, Berisha në burg", deklaroi ajo mes duartrokitjeve të protestuesve.

Në një apel drejtuar mbështetësve të Partisë Demokratike, ajo kërkoi që protesta të mos shihet si një përplasje mes partive.

"Kam një thirrje për të gjithë anëtarët e PD që kanë ardhur. I ftoj të vijnë si qytetarë. Nuk është e nevojshme të ketë përçarje. Qëllimi është një klasë e re politike e papërlyer. Se kush do shkojë në burg e vendos drejtësia. Shqiptarët mbështesin SPAK", tha ajo.

Tre javë pas nisjes së protestave, pjesëmarrja e sotme dhe mbushja e plotë e bulevardit përbëjnë deri tani demonstrimin më të madh të forcës së kësaj lëvizjeje, e cila po artikulon gjithnjë e më qartë kërkesën për largimin e Edi Ramës dhe për një "Shqipëri të Re" jashtë kufijve të politikës tradicionale.

 

proteste rama berisha

1 Komente

  1. s
    shpresa

    Bravoooooo SHQIPE ????????????????????????????????????????????????????????????????????????????????????????❤️❤️❤️❤️❤️❤️❤️❤️????????????????

    Lini një Përgjigje