Aktualitet 2 Tetor 2023, 16:20

‘S’ka dritë në fund të tunelit’, qeveria nuk e di se kur përfundon Rruga e Arbrit

Shkruar nga Pamfleti

‘S’ka dritë në fund të tunelit’, qeveria nuk e

Dy zyrtarë të lartë të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë pranuan të hënën në një seancë dëgjimore në Komisionin e Ligjeve se nuk e dinin se kur do të përfundonte tuneli i Murrizit – vepra më e rëndësishme e rrugës së Arbrit, ndonëse kontrata koncesionare ka përfunduar më 20 shtator.

Zv.ministrja Enkelejda Muçaj dhe drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi iu shmangën gjithashtu pyetjes se çfarë do të ndodhë më tej me kontratën koncesionare.

“Është duke mbaruar asfaltimi për të gjitha segmentet rrugore, me përjashtim të tunelit të Murrizit,” tha kreu i ARRSH, Evis Berberi ndërsa shtoi: “në momentin që do të shohim dritë në fund të tij, do t'u japim një datë të saktë se kur përfundon”.

Sipas Berberit, mospërfundimi i punimeve lidhet me problemet gjeologjike.

Deputetja Çupi këmbënguli që të merrte përgjigje nga zëvendësministrja duke e pyetur atë nëse; “ishte zgjatur sërish kontrata koncensionare për rrugën, kur përfundonte kjo rrugë dhe kush do t'i kryente punimet pas përfundimit të kontratës”.

Por Muçaj në vend të një përgjigjeje konkrete, e ftoi deputeten në zyrë për t'ia dhënë këto informacione.

“Për sa i përket Rrugës së Arbrit dhe kontratës do doja të vendosja me ju një takim zyrtar për t'ju informuar zyrtarisht me informacion të detajuar se ku ndodhet problematika,” tha ajo në komision, ftesë që u konsiderua e çuditshme nga Çupi.

“Të bëra pyetje publike dhe informacionin e dua publik, jo në zyrë,” i tha ajo, por nuk mori përgjigje të re nga zyrtarja e ministrisë.

Kontrata e rrugës së Arbrit ishte parashikuar për t'u dorëzuar në prill 2022, por qeveria mori vendim për t'a shtyrë këtë kontratë me 17 muaj të tjerë, afat që përfundoi me 20 shtator të këtij viti.

Ndërtimi i kësaj rruge u ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë rreth 40 miliardë lekë [330 milionë euro], kosto për të cilën zyrtarët e ministrisë këmbëngulën se nuk ndryshon pavarësisht shtyrjes së afatit kohor të dorëzimit të saj.

Projekti teknik për tunelin e Murrizit dhe afati i dorëzimit të rrugës u ndryshuan që në vitin 2020, por ato iu mbajtën të fshehura për gati 2 vjet publikut.

Ndërkohë, Kryeministri Edi Rama e përdori investimin në këtë rrugë për fushata elektorale në zonën e Dibrës prej vitit 2013. Pavarësisht problemeve në disa segmente, rruga është funksionale nëpërmjet bypassit të Qafës së Murrizit, në një lartësi mbi 1000 metra, ku kalohet me vështirësi kryesisht në dimër./BIRN

qeveri rruga e arbrit