
GJKKO ka hedhur poshtë sërish kërkesën e ish kryeministrit Sali Berisha dhe dhëndrit të tij Jamarbër Malltezit për ndryshim të masës së sigurisë.
Kërkesa u paraqit prej avokatëve në seancën e informacioneve dy mujore ku u kërkua dhe heqja e masës e cila u hodh poshtë.
Në një dalje për mediat, avokati i Berishës, Genc Gjokutaj nuk i kurseu ironitë për SPAK, duke thënë se po sillet si një parti politike.
“Derigjenca dy mujore ishte kopje e dy muajve të para. I njëjti tekst me të njëjtat fakte. Kishtë një shtesë që SPAK kishte dërguar një kërkesë në lidhje me faktin nëse ndërtimet kishin apo jo mbrojtje nga zjarri.
Kjo ishte një risi që besoj do ti japë shtysë hetimeve. Ne u shtymë për t’u njohur sepse janë shumë fashikuj që ata ti prezantojnë për fakte të reja, por ne kuptojmë që është i njëjti tekst.
Ky është një skandal e vete, ndërsa lideri i opozitës qëndron në arrest shtëpie, pa u zhvilluar hetime dhe pa u përcaktuar prova të reja.
Ne nuk kemi humbur në shkallët e gjykatave ne kemi konstatuar shkeljet skandaloze në këtyre gjykatave. Ne kemi humbur disa beteja, por nuk kemi humbur luftën. SPAK po vepron si parti politike, por ne do të vazhdojmë në rrugë ligjore”, tha Gjokutaj.
Kujtojmë se Sali Berisha dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi ndodhen prej muajsh në masën arrest shtëpie. Berisha akuzohet për korrupsion pasiv kryer në bashkëpunim, neni 260 dhe 25 i Kodit Penal lidhur me privatizimin e ish kompleksit Partizani, ndërsa Jamarbër Malltezi akuzohet për korrupsion pasiv në bashkëpunim, Neni 260 dhe Pastrim i Produkteve për të njëjtën dosje.
Edhe më herët, Berisha dhe Malltezi i ishin drejtuar GJKKO-së për lehëtsim të masave të sigurisë, por kërkesat e tyre janë refuzuar nga Gjykata e Posaçme si dhe nga Apeli i Posaçëm.
Sakaq, Berisha është ende deputeti i Kuvendit të Shqipërisë. Nëse ai nuk del nga shtëpia të shkojë në parlament deri në fund të qershorit, Berishës i digjet automatikisht mandati për shkak të mungesës 6-mujore në seancat plenare.
Lini një Përgjigje