Tomas Tuhel do të vazhdojë të drejtojë kombëtaren e Anglisë të paktën deri në “EURO 2028”. Sipas raportimeve të mediave britanike, Federata Angleze e Futbollit nuk ka më mundësi të aktivizojë klauzolat që do t'i lejonin ndërprerjen e parakohshme të kontratës me trajnerin gjerman.
“The Athletic” zbulon se marrëveshja mes palëve përfshinte disa klauzola performance, të cilat mund të çonin në shkëputjen e menjëhershme të bashkëpunimit në rast se Anglia nuk arrinte objektivat e vendosura në Kupën e Botës. Megjithatë, këto klauzola ishin të vlefshme vetëm deri në fazën çerekfinale.
Kualifikimi i Anglisë në gjysmëfinale bëri që ato të mos kenë më fuqi ligjore. Si rrjedhojë, Federata Angleze nuk mund ta largojë Tuhel pa paguar një dëmshpërblim të konsiderueshëm financiar.
Situata komplikohet edhe më shumë nga mungesa e një pasuesi të denjë. Pep Guardiola mbetet emri më i preferuar nga drejtuesit e futbollit anglez dhe ishte zgjedhja e parë edhe përpara emërimit të Tuhel në vitin 2024. Megjithatë, trajneri spanjoll vendosi të rinovojë kontratën me Mançester Sitin, duke detyruar federatën të besojë te tekniku gjerman.
Për momentin, Guardiola nuk ka dhënë asnjë sinjal se është gati të marrë drejtimin e një kombëtareje. Kjo e bën edhe më të vështirë çdo lëvizje të Federatës Angleze, e cila, të paktën për tani, duket e detyruar të vazhdojë projektin me Tomas Tuhel.
Lini një Përgjigje