Aktualitet 8 Dhjetor 2023, 15:09

“S’kam marrë para nga djali apo Ervin Mata”, rrëfehet Erzen Breçani: Nuk isha në dijeni për trafikun e drogës!

Shkruar nga Pamfleti

“S’kam marrë para nga djali apo Ervin Mata”,

Ish-zëvendësdrejtori i policisë së Tiranës Erzen Brecani, i arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Posaçme për disa vepra të rënda penale, ka mohuar të këtë marrë para nga djali i tij Eralbi Breçani apo Ervin Mata.

Breçani u mor në pyetje nga hetuesit e Byrosë Kombëtare te Hetimit në prani të tre mbrojtësve ligjorë ku ka sqaruar marrëdhënien që kishte me Ervin Matën, si kunati i djalit të tij, ndërsa ka mohuar përfshirjen apo pasjen dijeni për trafikun e lëndëve narkotike.

Pavarësisht deklarimeve të Breçanit, Prokuroria e Posaçme ka nisur një hetim pasuror për të gjitha transaksionet që janë bërë në adresë të tij apo dhe personave të afërt, bazuar në bisedat e zbardhura nga komunikimet në Sky ECC, për transferim shumash nga 350 mijë deri në 500 mijë euro.

Gjithashtu edhe pasuritë e të gjithë të arrestuarve të tjerë dhe familjarëve të tyre po kalojnë në sitën e SPAK.

Ndërkohe dy ditë më parë SPAK ka kërkuar ekstradimin në Shqipëri edhe të Ismail Zenelit, anëtarit të grupit që u arrestua nga policia spanjolle në ekzekutim të urdhër arrestit të lëshuar nga SPAK. Zeneli është personi që sipas dosjes hetimore donte të vriste vëllezërit Nela për hakmarrje pasi dyshonte se në vitin 2013 i kishin vrarë në sy të tij, vëllain me emrin e ndryshuar, Xhem Krasniqi, krim që kishte ndodhur në Britaninë e Madhe. Sipas SPAK, Ismail Zeneli është anëtar i grupit të Ervin Matës dhe Eralbi Breçanit për trafikun e drogës.

mata breçani droga