TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet28 Qershor 2025, 18:15

Skandali me Vjosën, Albpetrol nuk merr asnjë përgjegjësi; fajin e kanë temperaturat e larta

Shkruar nga Pamfleti

Skandali me Vjosën, Albpetrol nuk merr asnjë përgjegjësi;

Albpetrol reagon për ndotjen masive të Vjosës, por heq përgjegjësinë...

Në vend që të pranojë përgjegjësinë për derdhjen e naftës në Vjosë, një nga lumenjtë e fundit të egër në Europë, Albpetrol del me një deklaratë që më shumë ngjan me fjalor propagandistik sesa me reagim zyrtar të një institucioni përgjegjës.

Pamjet e publikuara nga aktivistët tregojnë baltë të zezë, rrjedhje hidrokarburesh dhe gjallesa të ngordhura në brigjet e Vjosës. Skandali është dokumentuar nga aktivistët e EcoAlbania dhe RiverWatch, të cilët flasin për një krim të përsëritur ndaj natyrës, me pasoja që shkojnë përtej zonës së ndotur.

Por çfarë bën kompania Albpetrol? Në vend që të kërkojë falje publike dhe të shpallë plan emergjence, ajo justifikohet me “temperatura të larta” që, sipas saj, “aktivizojnë” mbetjet e dekadave më parë! Ndërkohë, pranon vetë se përroi i Gorishtit është i mbushur me mbetje të patrajtuara dhe se procesi i rehabilitimit ecën ngadalë, me “hapësira financiare”.

Në një vend normal, një ndotje e tillë në një park kombëtar do të mjaftonte për të çuar drejtësinë në vendngjarje dhe për të ngritur padi ndaj drejtuesve të kompanisë. Por në Shqipëri, ku “mbrojtja e mjedisit” është kthyer në slogan qeveritar pa përmbajtje, gjithçka mbulohet me një deklaratë boshe.

Reagimi i Albpetrol

Kompania Albpetrol sh.a, në zbatim të detyrave të saj funksionale, gjatë viteve të fundit ka vendosur mbrojtjen e mjedisit në krye të listës së prioriteteve, si rrjedhojë e strategjive kombëtare dhe vendimeve të Qeverisë Shqiptare, në mbrojtje të pasurive natyrore kombëtare.

Në mënyrë të veçantë ky orientim është bërë i domosdoshëm, nisur nga një situatë e rënduar, e trashëguar nga shfrytëzimi për dekada me radhë, i zonave naftëmbajtëse.

Vendburimi i Gorisht-Koculit, i publikuar ditët e fundit në media, është një vendburim 60-vjeçar si pjesë e industrisë së nxjerrjes së naftës në këtë zonë.

Gjatë aktivitetit të kësaj zone, për 6 dekada me radhë, ky vendburim ka prodhuar mbetje të shumta, të cilat deri para pak vitesh nuk janë trajtuar sipas protokolleve teknike, të cilat ne zbatojmë rigorozisht sot për eliminimin e tyre.

Kompania Albpetrol është e angazhuar plotësisht për të rehabilituar pjesën e lumit të ndërlidhur me zonën naftëmbajtëse, sipas kushteve teknike dhe hapësirave financiare në një kohë sa më të shkurtër. Aktualisht, në zonë nuk ka asnjë aktivitet të ri ndotës prej shumë kohësh.

Operimet zbatojnë protokollet teknike të nxjerrjes dhe evadimit në përputhshmëri të manualeve dhe në respekt të plotë të mbrojtjes së mjedisit. Albpetrol po e zvogëlon çdo vit sasinë e mbetjeve të trashëguara e kjo vërtetohet nga veprimet e ndërmarra zyrtarisht.

Fatkeqësisht kjo njollë aktivizohet në temperatura të larta, pasi gjatë pjesës tjetër të vitit, nuk ka rrjedhje të këtyre mbetjeve, dhe ky është një fakt tjetër që mund të provohet lehtësisht edhe nga ekspertët e mbrojtjes së mjedisit dhe raportimet e mediave.

Kompania Albpetrol do të vijojë me një plan masash të përcaktuar qartë, të pastrojë zonat e ndotura për dhjetëra vite me radhë, duke i kushtuar kujdes të veçantë mbrojtjes dhe rehabilitimit të mjedisit, sidomos në mbrojtje të pasurisë tonë natyrore kombëtare, Lumit Vjosë.

Lini një Përgjigje