TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet28 Shkurt 2026, 10:25

Sot protesta e PD, policia paralajmëron akte dhune; nuk merr përsipër tubimin

Shkruar nga Pamfleti
Sot protesta e PD, policia paralajmëron akte dhune; nuk merr
Sot protesta e PD

Policia e Shtetit ka reaguar zyrtarisht lidhur me protestën e paralajmëruar nga Partia Demokratike, e cila pritet të zhvillohet sot në orën 18:00 përpara Kryeministrisë.

Sipas njoftimit, përfaqësues të Partisë Demokratike kanë informuar Policinë e Tiranës për organizimin e tubimit më 28 shkurt 2026. Megjithatë, autoritetet bëjnë me dije se, duke iu referuar incidenteve të regjistruara në protestën e mëparshme, nuk marrin përsipër garantimin e zhvillimit të tij.

Policia thekson se gjatë tubimit të kaluar janë evidentuar akte dhune, përdorim i mjeteve të rrezikshme ndaj efektivëve, pjesëmarrje e personave të maskuar si dhe përfshirje e të miturve. Po ashtu, sipas saj, ekzistojnë informacione për mundësinë e përsëritjes së situatave të ngjashme.

Në deklaratë thuhet se, pavarësisht përgjigjes së kthyer subjektit politik, Policia e Tiranës ka ndërmarrë masa për garantimin e rendit dhe sigurisë publike në kryeqytet, për mbrojtjen e institucioneve shtetërore si dhe për sigurimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe automjeteve, në rast se tubimi do të mbahet.

"Përfaqësues të subjektit politik Partia Demokratike e Shqipërisë kanë njoftuar Policinë e Tiranës për zhvillimin e një tubimi, më datë 28.02.2026, në orën 18:00, para Kryeministrisë.

Nisur nga incidentet e ndodhura gjatë tubimit të mëparshëm, ku u evidentuan akte dhune dhe përdorim i mjeteve të rrezikshme ndaj punonjësve të Policisë, pjesëmarrja e personave të maskuar dhe përdorimi i të miturve në tubim, si dhe nga informacionet e siguruara mbi mundësinë e përsëritjes së veprimeve të tilla, Policia e Tiranës i ka kthyer përgjigje subjektit politik se nuk merr përsipër garantimin e zhvillimit të tubimit.

Pavarësisht përgjigjes së kthyer, Policia e Tiranës, në përmbushje të detyrave funksionale, ka marrë të gjitha masat për garantimin e rendit dhe sigurisë publike në qytetin e Tiranës, mbrojtjen e institucioneve shtetërore, si dhe për lëvizjen e lirë të automjeteve dhe qytetarëve, në rast se tubimi do të zhvillohet.

Policia e Tiranës apelon për qytetarët që, nëse ndeshen me veprime të dhunshme, të distancohen dhe të denoncojnë çdo paligjshmëri që konstatojnë", njofton policia.

sot protesta e pd policia refuzon tubimin

Lini një Përgjigje