
Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka dhënë këtë të martë pretencën për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri.
SPAK ka kërkuar dënimin me 2 vite e 6 muaj për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri.
Ndërkohë për Pandeli Kokaveshin u kërkua dënimi me 2 vite burgim, i cili u konvertua me 4 vite shërbim prove.
Kjo masë për Kokaveshin u dha pasi ai ka probleme shëndetësore, si dhe fëmija i tij i mitur ka probleme shëndetësore.
Këtë të martë u zhvillua seanca ku u dhanë konkluzionet për Belerin, nga dy prokurorët e posaçëm, Adnand Xholi dhe Dorina Bejko, ndërsa seanca e radhës do të mbahet më 28 shkurt, në orën 14:30.
Kujtojmë se Fredi Beleri u arrestua në ambientet e një lokali në Himarë, vetëm 2 ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit 2023, pasi u kap në flagrancë bashkë më bashkëpunëtorin e tij Pandeli Kokaveshi duke blerë vota. Prej kohësh, kjo çështje është bërë temë kryesore diskutimi edhe në marrëdhëniet mes Greqisë dhe Shqipërisë. Ka qenë Greqia ajo që ka kërcënuar vendin tonë e cila kërkon hyrjen në BE, teksa ka deklaruar se Shqipëria do të përballet me pasoja nëse kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri vazhdon të pengohet të marrë detyrën.
Si u zbulua Beleri duke blerë vota?
Padia ndaj Belerit është bërë në datë 8 Maj nga një person me iniciale A.R. i cili ka thënë policisë se Beleri dhe persona të tjerë të shtabit të tij elektoral i kanë ofruar para në këmbim të votës.
Pas denoncimit, ai ka rënë dakord që të takojë sërish Belerin dhe të regjistrojë bisedën për të faktuar akuzat e ngritura ndaj tij.
Sipas dosjes së prokurorisë, Beleri premtonte pagesa nga 50 deri në 200 euro në këmbim të votës, si dhe premtim për skemën e përfitimit të shtetësisë greke dhe pensionit në shtetin grek.
Dy ditë më pas, në datën 10 Maj ai është takuar sërish me Belerin gjatë paradites në një lokal në zonën e Potamit. Aty ata kanë rënë dakord që shtetasi A.R. do të hartonte një listë zgjedhësish që do të votonin pro Belerit dhe pastaj do ia dorëzonte atij.
Më pas gjatë pasdites, ai i ka thënë Belerit se ka siguruar një listë prej 13 personash.Beleri i ka premtuar një pagesë 50 euro për çdo votues dhe 300 euro për të, kur të bindej se personat që kishin emrin në listë kanë votuar për të.
Shtetasi A.R. është takuar me një person me emrin Pandeli Kokaveshi për t’i dorëzuar listën e votuesve për Belerin. Ky i fundit i ka dhënë 40 mijë lekë të reja si pagesë për 8 vota, duke thënë se emrat e tjerë në listë i kishte siguruar ai.
“Shtetasi A.S. e ka pyetur nëse i ka dhënë gjë për të Fredi dhe ai i ka thënë që do të flisnin prapë”, thuhet në dosjen e prokurorisë.
Lini një Përgjigje