Ish-ministri i Drejtësisë, Eduart Halimi, ka reaguar pas vendimeve të Gjykatës së Strasburgut, e cila konstatoi shkelje në procesin e vettingut ndaj ish-prokurorëve Gentjan Osmani dhe Ferdinand Elezi, si dhe ish-gjyqtarit Izet Kadana.
Përmes një reagimi në Facebook, Halimi i cilëson tre vendimet e Strasburgut si “historike”, duke theksuar se gjykata ka konstatuar shkelje flagrante të nenit 8 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, pasi shkarkimet e tyre nuk kanë qenë proporcionale.
“Sot, 23 qershor 2026, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka dhënë vendime në rastet Osmani kundër Shqipërisë, Kadana kundër Shqipërisë dhe Elezi kundër Shqipërisë. Strasburgu konstaton shkelje flagrante të nenit 8 të Konventës për shkarkimet në vetting, pasi ato nuk ishin proporcionale. Gjykata kërkon rishikim të procedurave dhe rikthim në sistem”, shkruan Halimi.
Ai u shpreh urimet tre magjistratëve, duke argumentuar se atyre iu ishte ndërprerë padrejtësisht karriera.
Halimi thekson se tashmë përgjegjësia i takon Gjykatës Kushtetuese, e cila pas përfundimit të mandatit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit do të duhet të shqyrtojë kërkesat për rihapjen e çështjeve.
“Tani është radha e Gjykatës Kushtetuese të vendosë drejtësi, të rikthejë dinjitetin e tyre dhe të garantojë zbatimin e standardeve evropiane”, shprehet ish-ministri.
Postimi i Eduard Halimit:
3 VENDIME HISTORIKE SOT NGA STRASBURGU PËR MAGJISTRATËT SHQIPTARË
Sot, 23 qershor 2026, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (Seksioni i Tretë) ka dhënë vendime në rastet:
- Osmani v. Albania (nr. 7780/20),
- Kadana v. Albania (nr. 50295/20)
- Elezi v. Albania (nr. 17141/21).
Strasburgu konstaton shkelje flagrante të nenit 8 të Konventës për shkarkimet në vetting, pasi ato nuk ishin proporcionale. Gjykata kërkon rishikim të procedurave dhe rikthim në sistem.
Urimet më të sinqerta për tre magjistratët të cilëve iu ndërpre padrejtësisht një karierë e ngritur me mund, përkushtim dhe sakrifica të mëdha.
Tani është radha e Gjykatës Kushtetuese të vendosë drejtësi, të rikthejë dinjitetin e tyre dhe të garantojë zbatimin e standardeve evropiane.
Ata që i anatemuan dhe i linçuan publikisht, kanë minimumin detyrë morale të kërkojnë falje ndaj tyre dhe familjeve të tyre.
Lini një Përgjigje