TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet12 Maj 2026, 09:13

“Superkarteli ballkanik”, arrestohet në Malin e Zi bosi i trafikut të kokainës; detajet e operacionit

Shkruar nga Pamfleti
“Superkarteli ballkanik”, arrestohet në Malin e Zi bosi i
Haris Monic, i dyshuar si koka e rrjetit ballkanik

I arrestuari konsiderohet një nga anëtarët e rëndësishëm të “superkartelit ballkanik”, siç e quan Europol

Haris Monic nga Rozhaja ishte një nga anëtarët më të rëndësishëm të “superkartelit ballkanik”, siç e cilëson Europol, organizatë kriminale ndërkombëtare që dyshohet se ka organizuar transportin e tonelatave të kokainës nga Amerika e Jugut drejt shumë porteve në Evropë.

Anëtarët e këtij grupi kriminal të organizuar për vite me radhë kanë koordinuar kontrabandën e kokainës nga Ekuadori, Peruja, Kili dhe Kolumbia, si dhe kanë mbikëqyrur dhe organizuar rrugët drejt porteve në Holandë, Spanjë, Itali dhe vende të tjera.

Sipas informacioneve jozyrtare të gazetës Vijesti nga disa burime të përfshira në hetim, agjentët e shërbimeve sekrete dhe pjesëtarët e Departamentit Special të Policisë (SPO) e kishin mbajtur Monicin nën vëzhgim për ditë të tëra, duke shkëmbyer paralelisht informacione me shërbime partnere ndërkombëtare.

Zyrtarët e SPO-së e arrestuan të dielën banorin e Rozhajës, i cili posedon pasaportë malazeze dhe holandeze, ndërsa dje rreth orës 15:00 ai u dërgua për t’u marrë në pyetje në Prokurorinë Speciale Shtetërore (SDT).

Pas marrjes në pyetje, ndaj Monicit u caktua masa e ndalimit nga prokuroria.

“Me urdhër të Prokurorisë Speciale Shtetërore, Departamenti Special i Policisë, në bashkëpunim me Agjencinë për Siguri Kombëtare, arrestoi në Rozhajë H.M., shtetas i Malit të Zi dhe Holandës, për shkak të dyshimeve të bazuara se ka kryer veprën penale të krijimit të organizatës kriminale dhe disa vepra penale që lidhen me prodhimin, posedimin dhe shpërndarjen e paautorizuar të narkotikëve në nivel ndërkombëtar”, thuhet në deklaratën e SDT-së.

Për shkak të dyshimeve se për vite me radhë ka qenë një figurë e rëndësishme në trafikun ndërkombëtar të kokainës, Holanda kishte lëshuar ndaj tij një urdhër-arrest ndërkombëtar përmes Interpol-it.

Përveç Holandës, siç mëson Vijesti, edhe disa polici të tjera evropiane kishin shfaqur interes për Monicin përmes kanaleve të Interpol-it.

Monic dyshohet se gjatë qëndrimit në Holandë ka qenë i lidhur me disa kriminelë të rëndësishëm nga ish-Jugosllavia, kryesisht nga Bosnja dhe Hercegovina, dhe se nga Holanda organizonin kontrabandën e tonelatave të kokainës.

Gjatë hetimit të Prokurorisë Speciale dhe SPO-së, burimet e gazetës thonë se hetuesit pritet të sigurojnë informacione edhe për disa transporte të tjera transoqeanike, në organizimin e të cilave dyshohet se ka marrë pjesë edhe Monic.

Emri i Haris Monicit figuron gjithashtu në listën e pronarëve të kompanive në Holandë.

I akuzuari Haris Monic në fund të vitit të kaluar u bë pronar i kompanisë “Growmax” në Mal të Zi, e regjistruar në Regjistrin Qendror të Subjekteve Ekonomike për ndërtimin e objekteve banesore dhe afariste.

Kompania u themelua më 26 nëntor 2025 me seli në Luzhnicë, ndërsa Monic figuron si pronar dhe drejtor i saj. Kompania e tij nuk ka dorëzuar raport financiar për vitin e kaluar.

Lidhje të forta me Amerikën e Jugut

Në një nga deklaratat e Europol-it të vitit 2023 thuhet se superkarteli, aktorët kryesorë të të cilit janë me origjinë nga Ballkani, kishte rol të rëndësishëm në trafikun ndërkombëtar të kokainës, si dhe lidhje të forta me organizata kriminale në Amerikën e Jugut dhe Evropë, gjë që u mundësonte të kontrollonin deri në një të tretën e këtij aktiviteti në Evropë.

Fuqia e këtij superkarteli, pjesë e të cilit dyshohet se ishte edhe Monic, ilustrohet më së miri nga të dhënat e policisë holandeze, sipas të cilave grupi kontrollonte për vite me radhë një pjesë të madhe të tregut evropian të drogës dhe importin e deri një të tretës së kokainës nga Amerika Latine.

Europol pretendon se karteli u fuqizua përmes aleancave të shumta dhe rrjetit të gjerë të trafikut me bosë të fuqishëm të drogës nga Maroku, Irlanda dhe Italia. Sipas Europol-it, “superkarteli ballkanik” i zvogëloi aktivitetet pas vitit 2023, pas arrestimit të disa figurave kyçe, çka detyroi anëtarët e grupit të reduktonin veprimtarinë dhe të ndaheshin në fraksione më të vogla.

Deri në vitin 2020, sipas Europol-it, anëtarët e kartelit, si shumë grupe kriminale në botë, përdornin aplikacionin e koduar Sky ECC për komunikim dhe koordinim të aktiviteteve të trafikut të drogës. /Përshtati Pamfleti/

 

 

 

mali i zi operacioni rrjeti ballkanik

Lini një Përgjigje