TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet29 Tetor 2025, 14:02

Tjetërsimi i pronave në Lezhë, Prokuroria zbardh detaje: Sekuestrohen 4 objekte, lëshohen 9 masa sigurie

Shkruar nga Pamfleti

Tjetërsimi i pronave në Lezhë, Prokuroria zbardh detaje:

Prokuroria e Lezhës ka dhënë një informacion zyrtar për tjetërsimin e pronave në Shëngjin, ku u sekuestruan 4 objekte te “Rana e Hedhun” dhe u lëshuan 9 masa sigurie.

Urdhër arrestet janë lëshuar për shpërdorim detyre dhe ndërtim pa leje janë ekzekutuar, ndërsa të përfshirë rezultojnë ish zyrtarë të Kadastrës së Lezhës, IKMT-së si dhe policë. 

Deri në këtë fazë të hetimeve, Prokuroria ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesat për caktimin e masave të sigurimit personal ndaj personave të dyshuar:

Gentian Malota., ish-drejtor vendor i ASHK Lezhë,

Artur Shabaku., ish-përgjegjësi i legalizimeve pranë ASHK Lezhë, 

Artmir Maxhuni, përgjegjësi i legalizimeve pranë ASHK Lezhë 

Shtetasi P.T., masa e sigurimit “Arrest në burg”, 

Luiza Bala, inxhinier konstruksioni, 

Hekuran Xhina., inxhinier ndërtimi,

Flor Gjini, ish Drejtor i Drejtorisë Rajonale të IKMT Lezhë,

Kol Malaj, ish Drejtor i Drejtorisë Rajonale të IKMT Lezhë, 

Martin Ndoka, Ndihmës Specialist i Policimit në Komunitet (SPZ) pranë Stacionit të Policisë Shëngjin, Komisariati Lezhë.

Sipas burimeve, për Pjetër Tucin, i cili dyshohet të jetë përfituesi i pronës është caktuar masa e sigurisë "arrest në burg" ndërsa për pesë të tjerë është dhënë masa "arrest në shtëpi. Ata janë Gentjan Malotaj, ish-drejtor i Kadastrës së Lezhës, Artur Shabaku, ish-shef i sektorit të Legalizimeve dhe zyrtarët e Kadastrës, Admir Maxhuni, Luiza Bala dhe Hekuran Xhina.

Ndërkohë, dy ish-drejtues të IKMT-së, Flor Gjini dhe Kol Malai, janë ndaluar të dalin jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, ndërsa polici i zonës së Shëngjinit Martin Ndoka është pezulluar nga detyra dhe i është ndaluar dalja jashtë vendit.

Njoftimi i Prokurorisë Lezhë

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, ka sekuestruar mbi katër objekte ndërtimi, të ndërtuara pa leje dhe të legalizuara në kundërshtim me ligjin në zonën “Rana e Hedhun”, Shëngjin, Lezhë si dhe lëshoi masa sigurimi ndaj nëntë personave për veprat penale ‘Shpërdorim detyre’ parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, “Ndërtim i paligjshëm”, parashikuar nga neni 199/a/3 i Kodit Penal si dhe “Falsifikim dokumentesh”, parashikuar nga nenet 186/2 dhe 186/3 të Kodit Penal.

Në kuadër të një hetimi disa mujor, lidhur me procedimin penal nr. 135/2025, që ka për objekt një numër ndërtimesh pa leje të kryera në një zonë të rëndësisë kombëtare (e përcaktuar si e tillë me vendimin nr. 01, datë 28.12.2020, të Këshillit Kombëtar të Territorit), në zonën “Rana e Hedhun”, Shëngjin, Lezhë, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë ka finalizuar fazën e identifikimit të personave të dyshuar për kryerjen e veprave penale përkatëse.

Deri në këtë fazë të hetimeve, Prokuroria ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesat për caktimin e masave të sigurimit personal ndaj personave të dyshuar, si më poshtë:

Shtetasi G.M., ish-drejtor vendor i ASHK Lezhë, masa e sigurimit “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë;

Shtetasi A.Sh., ish-përgjegjësi i legalizimeve pranë ASHK Lezhë, masa e sigurimit “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë;

Shtetasi A.M., përgjegjësi i legalizimeve pranë ASHK Lezhë masa e sigurimit “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë;
Shtetasi P.T., masa e sigurimit “Arrest në burg”, për veprat penale “Ndërtim i paligjshëm”, parashikuar nga neni 199/a/3 i Kodit Penal, kryer më shumë se një herë, dhe “Falsifikim i vulave, stampave ose formularëve”, parashikuar nga neni 190/2 i Kodit Penal;

Shtetasi L.B., inxhinier konstruksioni, masa e sigurimit “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Falsifikim dokumentesh”, parashikuar nga nenet 186/2 dhe 186/3 të Kodit Penal;

Shtetasi H.Xh., inxhinier ndërtimi, masa e sigurimit “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Falsifikim dokumentesh”, parashikuar nga neni 186/3 i Kodit Penal;

Shtetasi F.Gj., ish Drejtor i Drejtorisë Rajonale të IKMT Lezhë, masa e sigurimit “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, për veprën penale “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal;

Shtetasi K.M. ish Drejtor i Drejtorisë Rajonale të IKMT Lezhë, masa e sigurimit “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, për veprën penale “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal;

Shtetasi M.N., Ndihmës Specialist i Policimit në Komunitet (SPZ) pranë Stacionit të Policisë Shëngjin, Komisariati Lezhë, masa e sigurimit “Pezullimi i ushtrimit të një detyre publike” dhe njëkohësisht “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, për veprën penale “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Nga e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë është pranuar kërkesa e Prokurorisë me ndryshimet vetëm për shtetasin G.M, A.SH dhe A.M për të cilët ka caktuar masën e sigurimit “arrest në shtëpi”.

Në kuadër të hetimeve është pranuar nga Gjykata kërkesa për vendosjen e masës së sekuestros preventive mbi katër objekte ndërtimi, të ndërtuara pa leje dhe të legalizuara në kundërshtim me ligjin në zonën “Rana e Hedhun”, Shëngjin, Lezhë.

Hetimet për këtë çështje vijojnë me qëllim dokumentimin e plotë të veprimtarisë së kundërligjshme dhe identifikimin e çdo personi tjetër që mund të rezultojë i përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

Lini një Përgjigje