
Gazetari Elton Qyno tha se nëse do të humbiste në Gjykatën Kushtetuese, do t’i drejtohet Gjykatës së Strasburgut.
Ai ka folur pas vendimit të Kushtetueses, e cila i dha të drejtë gazetarit në betejën ligjore me Prokurorinë e Posaçme për mbrojtjen e burimit të informacioneve.
“Në fakt që kur nisi si histori qysh në datën 13 dhjetor të vitit 2023 u vendos si precedent pavarësisht se ne e paralajmëruam që atë ditë se do ndiqnin hapat ligjore, sërish duke hyrë tek hallka e parë e hallka e dytë e deri tek hallka e tretë e gjyqësorit ne sigurisht po shkonim nga humbja në humbje.
Edhe pse po shkonim nga humbja në humbje në faktikisht kishim hyrë në një precedent të rrezikshëm që kishte bërë SPAK.
Por që ajo pastaj që i dha goditjen fatale ishte që këto tre humbje që ne i morëm në të tre shkallët e gjyqësorit, morëm një fitore të plotë pikërisht në gjykatën Kushtetuese.
Edhe sikur të humbnim në gjykatën Kushtetuese ne e cilësonim si hallkë juridike për të kaluar në një shkallë më të lartë që ishte Strasburgu.
Ne i kishim testuar të gjitha variantet juridike ku vajtëm fillimisht në Strasburg për të kërkuar një masë sigurimi për të parandaluar SPAK por që në fakt nuk kishim se çfarë të parandalonim sepse në fakt SPAK kishte bërë të gjithë sekuestrimin dhe gjithë kontrollet e banesës dhe sendeve të tjera dhe në këto kushte edhe pse humbëm në Strasburg sërish shkuam tek Komiteti i mbrojtjes të së drejtave të njeriut në OKB ku arritëm që të merrnim një masë sigurimi për pezullimin e veprimeve dhe këqyrjeve të mjeteve të sekuestruara ndaj meje”, tha Qyno për “Ora News”.
Kujtojmë se gazetari Elton Qyno u mor në pyetje në dhjetor të vitit 2023 për rrjedhjen në media të materialeve nga një dosje hetimore për një sërë krimesh të rënda, ndërsa pas një kontrolli në shtëpinë e tij, Prokuroria sekuestroi celularët dhe mjetet elektronike. Qyno e ka kundërshtuar vendimmarrjen si shkelje e të drejtave të tij si gazetar.
Lini një Përgjigje