TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 8 Mars 2026, 12:55

Trump shpall koalicion ushtarak për të goditur kartelet e drogës, në shënjestër edhe trafikantët shqiptarë

Shkruar nga Pamfleti
Trump shpall koalicion ushtarak për të goditur kartelet e drogës,
Shield of the Americas

Në samitin “Shield of the Americas” në Florida, 17 vende të Amerikës Latine pranojnë t’i bashkohen nismës së re të Uashingtonit kundër krimit të organizuar

Presidenti amerikan Donald Trump ka shpallur koalicionin ushtarak kundër karteleve të drogës, ndërsa nismës i janë bashkuar 17 vende të Amerikës Latine. Nisma më e fundit e shpallur në Florida synon luftën ndaj krimit të organizuar, veçanërisht karteleve të drogës dhe grupeve të armatosura. Dhe natyrisht ky koalicion ushtarak i drejtuar nga SHBA do të godasë edhe ato që konsiderohen si organizata apo mafia shqiptare.

Këtë muaj, ushtria amerikane nisi operacione të përbashkëta me Ekuadorin. Ekspertët thonë se grupet kolumbiane të trafikut dhe banda shumë të dhunshme po eksportojnë sasi të mëdha kokaine nga atje, në bashkëpunim me kartelë nga Meksika, Shqipëria dhe vende të tjera, shkruan New York Times.

Grupet shqiptare janë konsideruar si mjaft aktive në blerjen e sasive të kokainës nga Amerika Latine dhe më pas transportin e tyre përmes kontenierëve drejt Europës, ku prioritet mbeten tregjet në Bashkimin Europian.

Raporti më i fundit i Iniciativës Globale kundër Krimit të Organizuar (GI‑TOC) tregon se grupet shqiptare kanë krijuar marrëdhënie të qëndrueshme blerjeje në Kolumbi, Peru dhe Bolivi dhe kanë bashkëpunëtorë në Ekuador, Brazil, Paraguaj, Uruguaj dhe Republikën Domenikane. Ata zakonisht paguajnë paraprakisht gjysmën e kostos së transportit dhe bëhen garantues të pagesave falë rrjeteve të tyre në Evropë. Prodhuesit lokalë i preferojnë sepse paguajnë shpejt dhe shmangin dhunën.

Një artikull i Balkan Insight përshkruan se si grupe shqiptare blinin kokainë në zona të thella të Paraguajit dhe e transportonin drejt porteve evropiane duke korruptuar punonjës të porteve dhe zyrtarë ligjzbatues në Amerikën Latine dhe Evropë.

Në tetor 2025, Altin Dumani, i cili drejtonte SPAK-un, deklaronte për ekzistencën e 16 grupeve shqiptare, 10 prej të cilave ishin goditur në operacione të përbashkëta nga Prokuroria Speciale dhe vendet partnere.

“Janë aktive në disa shtete të BE, si Itali, Spanjë, Belgjikë, Holandë, Gjermani, Norvegji. Këto grupe blejnë kokainë në Amerikën Latine. Gjatë 2024 janë identifikuar 16 grupe kriminale me rrezikshmëri të lartë, nga të cilat 10 janë provuar në gjykatë për aktivitetin e tyre. Karakterizohen nga strukturë hierarkike, përdorimi i komunikimeve të koduara, dhe pastrimi i parave. Janë aktive në Tiranë, Durrës, Shkodër, Kukës, Lezhë, Elbasan dhe Vlorë”, deklaronte në tetor të 2025-ës, Altin Dumani.

Në samitin e parë “Shield of the Americas”, të mbajtur të shtunën në Florida, presidenti Trump tha se një organizatë e re e vendeve të Amerikës Latine, të cilën ai e quajti Americas Counter Cartel Coalition, do të përdorë forcë ushtarake për të mposhtur grupet e trafikut të drogës.

Duke folur në Trump National Doral Miami, resortin e tij të golfit pranë Miamit, Trump tha se “koalicioni i ri ushtarak” do të “zhdukë kartelët kriminalë që po mundojnë rajonin tonë.”

Ai shtoi se ushtria amerikane po i godet tashmë këto grupe. “Po i godasim fort, aty ku mundemi, dhe do të veprojmë edhe më fuqishëm,” tha ai.

Duke iu drejtuar liderëve të Amerikës Latine, Trump kërkoi ndihmën e tyre, duke theksuar “duhet të na ndihmoni. Thjesht na tregoni ku ndodhen.”

Trump shpall koalicion ushtarak për të goditur kartelet e drogës,

Samiti u mbajt në një kohë kur ushtria amerikane është e përfshirë në një luftë me Iranin që po përhapet në Lindjen e Mesme. Takimi mblodhi liderë nga 12 vende të Amerikës Latine, së bashku me zyrtarë të lartë të administratës Trump. Në total, 17 vende të rajonit kanë pranuar t’i bashkohen koalicionit.

Zyrtarët amerikanë thanë se grupi do të synojë në mënyrë agresive kartelët dhe krimin e organizuar në të gjithë hemisferën perëndimore, një fokus qendror për Trump, i cili ka përqafuar një vizion për rivendosjen e dominimit amerikan në rajon, përmes asaj që është quajtur “Doktrina Donroe.”

“Ashtu si formuam një koalicion për të zhdukur ISIS-in në Lindjen e Mesme, tani duhet të bëjmë të njëjtën gjë për të zhdukur kartelët në vendin tonë,” tha Trump.

Samiti njëditor mblodhi disa nga aleatët më të fortë të Trump, si presidenti i Argjentinës Javier Milei dhe presidenti i El Salvadorit Nayib Bukele. Në takim morën pjesë gjithashtu liderët e Bolivisë, Kosta Rikës, Kilit, Republikës Dominikane, Ekuadorit, Guajanës, Hondurasit, Panamasë, Paraguait dhe Trinidad e Tobagos.

Në samit morën pjesë edhe disa nga figurat kryesore të administratës Trump, përfshirë sekretarin e shtetit Marco Rubio, sekretarin e mbrojtjes Pete Hegseth, sekretarin e thesarit Scott Bessent, sekretarin e tregtisë Hoëard Lutnick dhe Stephen Miller, zëvendësshef i stafit për politikën dhe këshilltar për sigurinë kombëtare dhe çështjet e brendshme.

Administrata Trump tashmë ka vendosur burime ushtarake amerikane në Amerikën Latine në një shkallë që nuk është parë prej dekadash.

Më shumë se një duzinë grupe në Amerikën Latine dhe Karaibe janë shpallur Organizata të Huaja Terroriste, shumica prej tyre gjatë mandatit të dytë të Trump.

Gjatë vitit të fundit, administrata ka urdhëruar 44 sulme ushtarake ndaj anijeve në Detin Karaibe dhe në Paqësorin lindor, për të cilat pretendon se transportonin drogë të paligjshme. Këto sulme kanë shkaktuar 150 viktima.

Ekspertët ligjorë kanë argumentuar se këto sulme janë të paligjshme, pasi ushtria nuk lejohet të godasë civilë, edhe nëse ata dyshohen për veprimtari kriminale.

Në janar, ushtria amerikane sulmoi Karakasin për të larguar presidentin e Venezuelës Nicolás Maduro, i cili më pas u padit në një gjykatë federale amerikane për akuza të shumta për trafik droge.

Në shkurt, inteligjenca amerikane ndihmoi autoritetet meksikane të lokalizonin një nga krerët më famëkeq të kartelëve në rajon, Rubén Oseguera Cervantes, i njohur si El Mencho.

Në prag të samitit, zyrtarët amerikanë publikuan një video që tregonte bombardimin e një kampi në zonat rurale të Ekuadorit dhe theksuan rolin e SHBA-së në operacion.

Më herët gjatë javës, Stephen Miller tha se forca ushtarake është mjeti i vetëm që mund të mposhtë kartelet dhe se trafikantët duhet të trajtohen “po aq brutalisht dhe pa mëshirë” sa grupe si Al Qaeda dhe ISIS.

Trump e quajti Meksikën “epiqendrën e dhunës së kartelëve” dhe tha se kartelët e saj po “nxisin dhe organizojnë një pjesë të madhe të gjakderdhjes dhe kaosit në këtë hemisferë.” /Pamfleti/

Lini një Përgjigje