TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota12 Korrik 2026, 13:10

Nga sulmet te lavdërimet, çfarë fshihet pas kthesës së papritur të Trump ndaj NATO-s?

Shkruar nga Pamfleti
Nga sulmet te lavdërimet, çfarë fshihet pas kthesës
Trump

Ndryshimi i menjëhershëm mund të lidhet me afërsinë e tij me Erdoğanin, por cilat mund të jenë pasojat e kësaj sjelljeje të paparashikueshme ndaj aleancës?

Marrëdhënia e Donald Trump me aleatët e Uashingtonit në NATO nuk ka qenë kurrë ajo e një partneriteti harmonik.

Megjithatë, paraqitja e presidentit amerikan në samitin vjetor të aleancës ushtarake perëndimore, të mbajtur këtë javë në Ankara, u duk e pazakontë edhe për standardet e vetë Trumpit. Ndërsa komentuesit përpiqeshin të shpjegonin atë që ndodhi, edhe repertori i zakonshëm i klisheve të përdorura për të përshkruar sjelljen e tij dukej se po shteronte.

Trump mbërriti në kryeqytetin turk të martën në një gjendje të dukshme zemërimi. Ai ishte i irrituar sepse armëpushimi i përkohshëm që kishte rënë dakord me Iranin nuk kishte zgjatur dhe paralajmëroi se, si pasojë, mund të pasonin sulme të tjera dhe më shumë shkatërrim.

Udhëheqësit islamikë të Iranit, të cilët vetëm dy javë më parë i kishte cilësuar si "shumë të arsyeshëm", tani i quajti "llum" dhe "njerëz të sëmurë", gjatë një deklarate për gazetarët, ndërsa ishte ulur pranë sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.

Po aq ashpër ai sulmoi edhe vetë NATO-n, aleancën që ka qenë shtylla kryesore e sigurisë kolektive të Perëndimit që nga viti 1949, kur u themelua si Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut për t'iu kundërvënë përhapjes së komunizmit sovjetik pas Luftës së Dytë Botërore.

Trump deklaroi se "nuk ishte i kënaqur me NATO-n", duke u ankuar se vendet anëtare të aleancës përfshirë edhe Britaninë nuk e kishin mbështetur në konfliktin me Iranin. Ai riktheu gjithashtu pretendimet e tij për Groenlandën, pavarësisht se ajo është territor sovran danez, dhe kërkoi që Shtetet e Bashkuara të ndërprisnin marrëdhëniet tregtare me Spanjën, pasi qeveria socialiste e këtij vendi të cilën ai e quajti "njerëz të këqij" refuzoi të zbatonte objektivat e rinj për rritjen e shpenzimeve ushtarake.

Vetëm pak orë më vonë, pasi u takua me të njëjtët liderë që sapo kishte kritikuar, Trump doli para mediave me një ton krejt tjetër, duke folur për unitet.

"Ka pasur shumë dashuri në atë sallë", tha ai, duke shtuar se nuk kishte marrë pjesë kurrë në një samit të NATO-s kaq pozitiv.

Kjo ngrohtësi e papritur u shtri edhe ndaj presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy. I ulur pranë një lideri që më parë e kishte trajtuar shpesh si kundërshtar, Trump e vlerësoi atë si "jashtëzakonisht të zgjuar" për mënyrën se si kishte arritur ta mbante të bashkuar vendin e tij gjatë luftës me Rusinë, të udhëhequr nga Vladimir Putin, stilin politik dhe kauzën e të cilit Trump është konsideruar prej kohësh se i shihte me simpati.

Terma si "i paparashikueshëm" dhe "ndryshim i menjëhershëm kursi" u përdorën gjerësisht nga mediat për të përshkruar këtë sjellje të papritur. Megjithatë, më pak e qartë mbeti arsyeja e këtij ndryshimi dhe ndikimi që mund të ketë ai në afat të gjatë.

Pse Trump ndryshoi papritur qëndrim ndaj një aleance që e ka cilësuar shpesh si një "tigër prej letre" dhe që e ka akuzuar vazhdimisht se "shfrytëzon" SHBA-në duke i lënë asaj barrën më të madhe financiare? Dhe cilat mund të jenë pasojat e një sjelljeje kaq të paparashikueshme dhe, sipas disa vlerësimeve, edhe fyese ndaj aleatëve?

Sipas disa analistëve, përgjigjet variojnë nga shpjegime relativisht të thjeshta deri te faktorë më kompleksë. Në qendër të tyre mbetet prirja e Trumpit për të vepruar në mënyrë impulsive dhe për të ndryshuar mendim nga një moment në tjetrin.

Një nga arsyet e mundshme të këtij ndryshimi mund të ketë qenë afërsia e tij me presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan, udhëheqës i fortë që ka qëndruar në pushtet prej 23 vitesh dhe për të cilin Trump ka shprehur prej kohësh admirim, pavarësisht prej rrënjëve islamiste të politikës së tij.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me Erdoğanin të martën, Trump deklaroi se ndoshta nuk do të kishte marrë pjesë fare në samit nëse ai nuk do të ishte zhvilluar në Turqi, vend me të cilin, sipas tij, ka "një marrëdhënie të shkëlqyer".

"Turqia ka qenë, në shumë aspekte, shumë më besnike se vende të tjera për të cilat mendonim se do të ishin besnike", tha ai, përpara se ta krahasonte marrëdhënien me Erdoğanin me atë që ka me liderë të tjerë.

"Nuk e di pse një marrëdhënie bëhet e veçantë. Ndonjëherë shkon shumë mirë me njerëzit më të fortë, si Erdoğan. Ndërsa ndonjëherë nuk shkon fare mirë me njerëzit më të dobët dhe më patetikë. Ndoshta nuk i respekton.", tha ai.

Ian Lesser, studiues në German Marshall Fund dhe pjesëmarrës në samit, tha se takimi kishte pasur "një karakter bipolar", të cilin ai e lidhi pikërisht me marrëdhënien personale mes Trumpit dhe Erdoğanit. Ky i fundit është cilësuar nga kundërshtarët e tij politikë si një autokrat që ka kufizuar opozitën dhe lirinë e medias.

"Fakti që presidenti Trump ka këtë marrëdhënie kaq të afërt me presidentin Erdoğan ka të ngjarë të ketë luajtur rol në stabilizimin e situatës dhe në faktin që teatraliteti nuk dominoi samitin. Trump ishte i interesuar që Erdoğan të mund ta konsideronte samitin një sukses.

Sjelljet dhe personalitetet individuale luajnë rol në marrëdhënie të tilla dhe kjo shihet më qartë se kurrë në samite. Trump, më shumë se shumë liderë të tjerë, e vendos personalitetin e tij në qendër të mënyrës se si i trajton çështjet ndërkombëtare. Ai priret ta shohë botën jo përmes aleancave, por përmes vendeve individuale dhe, mbi të gjitha, përmes liderëve individualë. Ai mbetet skeptik ndaj aleancave.", tha Lesser.

Po aq ndikim, sipas analistëve, pati edhe mënyra se si Mark Rutte iu afrua Trumpit.

Ish-kryeministri holandez, i cili është bërë i njohur për aftësinë e tij për të komunikuar me presidentin amerikan, e ka lavdëruar vazhdimisht atë duke i atribuar meritën për forcimin e NATO-s, pasi shtyu aleatët evropianë të rrisnin shpenzimet për mbrojtjen një kërkesë që Trump e ka përsëritur prej vitesh.

"Rutte po bën një punë shumë të mirë duke i thënë Trumpit: 'Po funksionon. Po bëhemi aleatë më të aftë. Po ju dëgjojmë'", tha Charles Kupchan, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Georgetown dhe ish-këshilltar i Shtëpisë së Bardhë për Evropën gjatë administratave të Bill Clintonit dhe Barack Obamës.

"Besoj se të njëjtat mesazhe janë përsëritur edhe gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura", shtoi ai, duke iu referuar takimit privat të Trumpit me 31 liderët e tjerë të vendeve anëtare.

Ndryshimi i papritur i qëndrimit ndaj Zelenskyyt të cilit dikur i kishte thënë në Shtëpinë e Bardhë "Ti nuk i ke letrat në dorë" mund të jetë nxitur edhe nga zhgënjimi ndaj Putinit, i cili nuk ka bërë asnjë lëshim për t'i dhënë fund luftës që tashmë ka zgjatur më shumë se Lufta e Parë Botërore. Gjithashtu, mund të ketë ndikuar edhe fakti që Trump po merr më shumë në konsideratë opinionin e Kongresit amerikan, të cilin në çështje të tjera e ka shpërfillur.

"Mendoj se këtu hyn në lojë edhe qëndrimi i Kongresit. Dhe ndërsa afrohen zgjedhjet e ndërmjetme, ky faktor do të peshojë e më shumë.", tha Lesser.

Pavarësisht përfundimit të butë të samitit, është krijuar një bindje se sulmgjithnjë et e vazhdueshme të Trumpit ndaj aleatëve mund të lënë pasoja afatgjata, edhe nëse në të ardhmen ai zëvendësohet nga një administratë amerikane me një qasje më tradicionale ndaj aleancës transatlantike.

Kupchan, megjithatë, argumenton se retorika e Trumpit nuk e ka dobësuar realisht NATO-n, pavarësisht se ka dëmtuar besimin e Evropës tek garancia amerikane.

"Nëse i shohim gjërat përtej retorikës së ashpër dhe gjuhës fyese të Trumpit ndaj NATO-s, tabloja që del është në fakt pozitive. NATO vazhdon të jetë NATO. Ende ka rreth 80 mijë trupa amerikane të dislokuara në Evropë.", tha ai.

Ajo që pritet të ndryshojë, sipas analistëve, është se NATO do të shndërrohet gradualisht në një aleancë më të udhëhequr nga Evropa, ndërsa vendet evropiane do të zbatojnë angazhimin e marrë vitin e kaluar për të rritur shpenzimet për mbrojtjen në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2035.

Ndërkohë, evropianët do të vazhdojnë të ndihen "thellësisht të shqetësuar" nga gjuha armiqësore e Trumpit.

"Ai kënaqet kur i bën të tjerët të ndihen të pasigurt, sepse ky është stili i tij. Ai vjen nga bota e televizionit dhe spektaklit. I pëlqen t'i mbajë të gjithë jashtë ekuilibrit. Prandaj një ditë flet sikur do ta nxjerrë SHBA-në nga NATO, ndërsa ditën tjetër deklaron se e do NATO-n.", tha Kupchan.

Megjithatë, pas gjithë kësaj retorike që tërheq vëmendjen, mund të fshihet një problem shumë më i thellë: mungesa e një drejtimi të qartë strategjik në politikën e jashtme amerikane.

Kupchan autor i një artikulli të fundit me titull "Amerika nuk e di më çfarë kërkon" argumenton se Trump është më shumë simptomë sesa shkaku i krizës së politikës së jashtme amerikane.

"Problemi themelor është shembja e qendrës politike dhe fakti që Shtetet e Bashkuara nuk kanë më një politikë të jashtme të qëndrueshme. Pas çdo zgjedhjeje presidenciale kalojmë nga një strategji e madhe kombëtare në një strategji krejtësisht tjetër..

Nëse je kancelari i Gjermanisë apo kryeministri i Japonisë dhe prej dekadash je mbështetur te garancia e sigurisë amerikane, atëherë je i detyruar të planifikosh për skenarin më të keq, sepse Shtetet e Bashkuara po kalojnë një periudhë kaq të gjatë të mosfunksionimit politik, sa nuk mund të jesh më i sigurt nëse mund të mbështetesh te 'Xhaxha Sam'.", tha ai./Përshtatur nga "The Guardian".

Lini një Përgjigje