Ndalimi vjen pas një procedimi administrativ për paraqitje dokumentacioni me të dhëna të rreme
Agjencia e Prokurimeve Publike ka përjashtuar për 12 muaj nga e drejta për të fituar kontrata publike shoqërinë “Information Business System-IBS” shpk, në pronësi të Darin Gëzdarit.
APP e mori vendimin me nr. 10, datë 2 mars 2026, pas përfundimit të një procedimi administrativ të nisur mbi kërkesën e Operatorit të Sistemit të Transmetimit. OST kërkoi përjashtimin e kompanisë me argumentin se ka paraqitur dokumentacion me të dhëna të rreme në një procedurë prokurimi, në kundërshtim me nenin 78, pika 1, shkronja “a” të ligjit për prokurimet publike.
Sipas vlerësimit të APP, rasti plotëson kushtet ligjore për përjashtim. Masa hyn në fuqi nga data e miratimit të vendimit dhe i ndalon shoqërisë pjesëmarrjen në tendera dhe kontrata publike për një periudhë njëvjeçare.
Në dhjetor 2024, Prokuroria e Tiranës arrestoi Darin Gëzdarin dhe Arlinda Markun për akuzën e pastrimit të parave. Sipas organit të akuzës, ata organizuan një skemë transferimesh bankare përmes kompanive të regjistruara në juridiksione si Qipro, Gjibraltar dhe Maltë. Hetimi evidentoi se fondet kalonin në shoqëri të krijuara në Shqipëri dhe më pas transferoheshin drejt Kanadasë.

Prokuroria deklaroi se në periudhën 2021-2022 dy të dyshuarit kanë pastruar mbi 11 milionë euro. Gjykata e liroi Gëzdarin pas arrestimit, ndërsa procedimi penal vijon. Organi i akuzës u ka komunikuar akuzën dhe pritet dërgimi i çështjes për gjykim.
Lini një Përgjigje