
SPAK ka nisur kërkesën për ekstradimin në Shqipëri për bosin e kokainës Dritan Rexhepi, i cili u arrestua në Stamboll.
Mësohet se sot dosja do i kalojë ministrisë së Drejtësisë për të nisur procedurat.
Shqiptari i shumëkërkuar Dritan Rexhepi i cili u arrestua më 8 nëntor në periferi të Stambollit, kishte hyrë në Turqi me pasaportë kolumbiane.
Rexhepi u arrestua në një vilë luksoze në periferi të Stambollit, ku sipas mediave të huaja, ndodhi falë gjurmimit të tij nga autoritetet italiane ku ka një dënim prej 16 vitesh në mungesë për trafik droge.
Në Shqipëri Dritan Rexhepi akuzohet edhe për rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës. Shqipëria dhe Italia tashmë kërkojnë ekstradimin e të arrestuarit nga Turqia.
Në Itali Rexhepi akuzohet nga prokuroria e Firences, për trafikimin e një ngarkese 4 ton kokainë dhe 5.5 milionë euro kesh në vitin 2020. Gjatë këtij aksioni drejtësia italiane arrestoi 20 bashkëpunëtorë të Rexhepit dhe shpalli në kërkim 11 të tjerë.
Dritan Rexhepi u cilësua si vrasësi i parë me pagesë në Shqipëri. Ai ishte në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, prej 17 vitesh. Që në mars 2006, narkotrafikanti u shpall fajtor dhe u dënua me 25 vite burg në mungesë për vrasjen e dy policëve në Fushë-Krujë, Arben Keqi e Durim Kasmi në vitin 1998.
Interpol Roma, Itali e kërkon prej shtatorit 2011 pasi është dënuar me 16.5 vite burg për “Grup kriminal me qëllim trafikimin e narkotikëve”
Rexhepi njihet dhe si mbreti i arratisjes, pasi në 2006 arriti të largohej nga komisariati i Policisë në Durrës, më pas u arratis nga burgu i Voghera, në Itali, më pas arriti të arratisej dhe nga burgu i Antverp, në Belgjikë. Në 2014 u arrestua në Ekuador për tu liruar në nëntor të 2021.
Dritan Rexhepi kishte krijuar një kartel shqiptar të narkotrafikut, të quajtur kompania ‘Bello” përmes të cilës blinte sasi të mëdha kokainë në Amerikën e Jugut për t'i shpërndarë më pas në Europë
Sipas Europolit, kompania 'Bello' e cila drejtohej nga Dritan Rexhepi, konsiderohej një nga organizatat më aktive të trafikimit të kokainës nga Amerika e Jugut në Europë. Prokurorët italianë kishin zbuluar se Rexhepi kishte një marrëdhënie të privilegjuar me kartelet kolumbiane të prodhimit të kokainës nëpërmjet trafikantit ekuadorian, Cezar Emilio Montenegro Castillo – i njohur gjithashtu si ‘Don Monti’, i cili është kreu i trafikantëve ekuadorianë të lidhur me kartelin kolumbian “Norte dell Valle” dhe kartelin meksikan të drogës së Sinaloas.
Vlerësohet se vetëm Karteli ndërkombëtar i drogës, kompania ‘Bello” që Rexhepi drejtonte trafikonte sasi të mëdha kokaine. Vetëm në 2016 dhe në 2017, hetuesit italianë vlerësonin se karteli kishte trafikuar kokainë me një vlerë totale të ardhurash prej 141 milionë eurosh.
Lini një Përgjigje