
Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka ndërprerë procesin e vetingut për ish-prokurorin Arjan Ndoja.
Vendimi është shpallur ditën e sotme (22 prill) nga KPA-ja dhe ka ardhur pas tërheqjes së ankimit nga vetë Ndoja, i cili kandidon për deputet nën siglën e Partisë Demokratike. KPK e shkarkoi atë nga detyra dhe ish-prokurori ju drejtua KPA-së duke apeluar vendimin. Mirëpo tani vendosi të futet në politikë dhe ka vendosur që të ndërpritet procesi për të, duke pranuar shkarkimin dhe përjashtimin me 15 vite nga sistemi.
Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, ishte i përbërë nga Natasha Mulaj si kryesuese, Sokol Çomo relator, Albana Shtylla, Ina Rama, Mimoza Tasi anëtare.
“Trupa gjykuese shpalli vendimin për çështjen nr. 32/2022, datë 14.07.2022, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Arian Ndoja kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 528, datë 06.05.2022.
Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin G të Aneksit të Kushtetutës dhe në ligjin 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:
1. Nderprerjen e procesit të rivlerësimit kalimtar për subjektin e rivlerësimit z.Arian Ndoja.
2. Ndalimin e emërimit të z. Arian Ndoja gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare.
· Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm”, thuhet në vendimin e KPA-së.
Lini një Përgjigje