Ju ftojmë të ndiqni një bllok lajmesh me zhvillimet kryesore nga kronika e zezë, ku ndër të tjera veçojmë:
Gjykata e Posaçme ka vijuar këtë të hënë dëgjimin e dëshmitarëve në dosjen “Partizani”, ku ish-ministri Genc Ruli deklaroi se që në vitin 2005 i ishte komunikuar ish-drejtuesit të klubit Albert Xhani se prona do t’u kalonte ish-pronarëve. Seanca është fokusuar në procedurat dhe vendimmarrjen institucionale që çuan në privatizimin e ish-kompleksit sportiv.
Ndërkohë, në një tjetër zhvillim gjyqësor, është shtyrë sërish pretenca për fraksionin e dosjes “Meta”, për shkak të mungesës së mbrojtjes së një prej të pandehurve. Fatime Kryemadhi ka deklaruar se nuk i është bërë ekspertizë për të ardhurat e saj.
Në Kamëz, një konflikt banal në kalçeto përfundoi tragjikisht me vrasjen e 27-vjeçarit Ardian Baloshi, ndërsa autori Sadik Llanaj është ende në kërkim dhe RENEA po vijon operacionin për kapjen e tij.
Në Shijak u arrestua Elton Beqiri për plagosje me armë, ndërsa policia e Durrësit raportoi bilancin mujor të punës.
Në zhvillimet ndërkombëtare dhe të sigurisë, shqiptari Flamur Sinanaj u lirua në Belgjikë pas marrëveshjes 1.5 milionë euro, ndërsa në Bullgari u kap një kamion me rreth 500 mijë euro drogë. Në Greqi, një tjetër shqiptar u arrestua me kokainë gjatë një operacioni policor.
Në Filipine një tërmet i fuqishëm 7.8 ballë shkaktoi viktima dhe dëme të mëdha, duke ndezur edhe alarm për cunami në disa shtete të Paqësorit.
Lini një Përgjigje