Gjykata e Posaçme dështoi edhe këtë të hënë të lexojë pretencën në procesin ndaj tre të pandehurve të dosjes "Meta-Kryemadhi", të cilët gjykohen me kohë të shkurtuar.
Seanca ndaj Fatime Kryemadhit, Ema Çokut e Pirro Xhixhos u shty për shkak të mungesës së mbrojtësve të të pandehurit Xhixho.
Në momentin e daljes nga gjykata, mamaja e Monika Kryemadhit ka folur për gazetarët, ku ka pretenduar se nuk i është bërë asnjë akt ekspertimi rreth pasurisë së saj.
“Nuk u pyeta për asgjë, sepse e shtynë. Nuk ishte çështja për mungesën time, nuk ishte për mua ajo.Desha ta dëgjoj seancën, sepse këta nuk kanë bërë asnjë ekspertizë për të ardhurat e mia. Nuk u bë seanca, sepse atë do të kërkoja.”, u shpreh Fatime Kryemadhi.
Seanca e radhës u caktua për më 15 qershor.
Gjykata ndërkohë ka pranuar kërkesën për gjykim të shkurtuar të tre të pandehurit po gjykohen veçmas Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit. E ëma, Fatime Kryemadhi dhe Ema Çoku akuzohen për pastrim parash, ndërsa ish-kreu i AKEP, Pirro Xhixho, për korrupsion.
Nnë të njëjtën dosje, ish-bashkëshortët Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi do të përballen me një proces të zakonshëm gjyqësor. Ata akuzohen për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, akuza që i kanë mohuar vazhdimisht, duke i cilësuar si të motivuara politikisht.
Ilir Meta mbahet në burg që prej 21 tetorit 2024, ndërsa hetimi ndaj tij përfshin çështjen CEZ-DIA, lobimin e LSI-së në SHBA dhe hetimin pasuror. Sipas SPAK, Meta dhe Kryemadhi dyshohet se kanë përfituar pasuri në mënyrë të paligjshme dhe kanë fshehur origjinën e tyre përmes familjarëve dhe personave të afërt.
Lini një Përgjigje