Lexues të “Pamfleti” ju ftojmë të ndiqni edicionin informativ të mesditës, ku mes të tjerash veçojmë:
Rama "ndez motorët" e fushatës/ Nga porositë për anëtarët te turi i takimeve me simpatizantët
Kryeministri, njëherazi edhe kryetar i PS-së, Edi Rama, ka lënë porosi dhe detyra për anëtarët e Kryesisë së PS-së, gjatë një mbledhjeje të zhvilluar paraditen e sotme.
Në qendër të mbledhjes së Kryesisë ka qenë organizimi i zgjedhjeve të brendshme në parti, ndërsa Kryeministri u ka kërkuar anëtarëve të Kryesisë që të dalin në terren, të takohen me njerëzit. Ndërkohë lidhur me kohën se kur do të mblidhet Asamblea Kombëtare e PS-së nuk është përcaktuar ende një datë, edhe pse një nga pikat për të cilën Kryeministri kishte thirrur mbledhjen e Kryesisë ishte pikërisht kjo.
Mbledhja e Kryesisë së PS-së ka zgjatur vetëm 30 minuta, ku kreu socialist ka zgjedhur të përcaktojë detyrat. Gjatë diskutimeve u kërkua nisja e takimeve me strukturat dhe mbështetësit në terren, si pjesë e një procesi riorganizimi dhe koordinimi të aktivitetit politik në vijim.
Dhe nisur nga porositë dhe detyrat që Rama u ka lënë anëtarëve të Kryesisë, duket se Kryeministri ka çelur jo zyrtarisht fushatën, ndoshta për zgjedhjet vendore që pritet të mbahen në pranverën e 2027-ës.
Largimi i Ilir Prodës/ Çelet formalisht gara për Drejtorin e ri të Policisë së Shtetit
Ministria e Brendshme ka çelur garën për Drejtorin e ri të Policisë së Shtetit, dy ditë pas shkarkimit të Ilir Prodës nga ky funksion. Shkarkimi i Prodës erdhi pas një vale protestash nga opozita, ndërsa në të paktën dy tubimet ve fundit Policia nuk merrte përsipër të garantonte tubimet, çka çoi jo vetëm në largimin e Prodës, por edhe Drejtorit të Policisë së Tiranës, Elton Alushi.
Momentalisht në krye të Policisë së Shtetit është komanduar Sokol Bizhga, një oficer karriere, që mban funksionet e zv.Drejtorit të Përgjithshëm, por i akuzuar shpesh nga opozita e drejtuar nga Sali Berisha.
Ndërkohë, Ministria e Brendshme në një njoftim zyrtar ka shpallur thirrjen për aplikim për pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Kandidatët e interesuar kanë afat deri në 11 mars për të dorëzuar aplikimet, ndërsa në kriteret e përgjithshme aplikuesi duhet të mbajë njërën nga gradat e rolit të mesëm drejtues.
Nga praktikat e deritanishme garat për Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit janë formale, pasi në pothuajse të gjitha rastet fituesi pothuajse është i paracaktuar. Kjo ndodhi edhe në garën e çelur në tetor 2024, ku në përfundim u emërua Ilir Proda si drejtues i Policisë së Shtetit.
Gjykimi në themel/ Procesi ndaj Erion Veliajt nis në 9 mars
Gjykata e Posaçme ka caktuar datën 9 mars për nisjen e gjykimit në themel të çështjes penale ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Seanca do të zhvillohet në orën 09:30.
Trupin gjykues e kryeson gjyqtarja Engjëllushe Tahiri, me anëtare Alma Kodraliu dhe Rudina Palloj.
Vendimin për kalimin e dosjes në gjykim gjykata e mori më 9 shkurt, duke përfshirë në proces Erion Veliajn, bashkëshorten e tij Ajola Xoxa dhe 28 persona të tjerë, individë dhe subjekte juridike. Veliaj ndodhet në arrest me burg që prej 10 shkurtit 2025. Prokuroria e Posaçme depozitoi kërkesën për gjykim pesë muaj më parë.
Prokuroria i ngarkon Veliajt 13 vepra penale, mes tyre korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në institucionet e vuajtjes së dënimit. Sipas aktakuzës, ai ka kryer korrupsion pasiv në 9 raste në raport me kompani që kanë marrë leje ndërtimi dhe fonde publike nga Bashkia e Tiranës, ndërsa në këmbim kanë ofruar përfitime në para dhe pasuri të paluajtshme.
Marifeti i Dritan Agollit të FSHZH/ Kërkon t’i japë privatit projektin e fermës 6 milionë Euro në Divjakë
Megjithëse Drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli, është nën hetim nga SPAK që prej muajit shkurt 2022, për një tender 480 milionë lekë të dhënë restorantit të të birit në Lalëz dhe është denoncuar për shumë afera me fondet publike, ndaj tij nuk ka filluar ende një procedim penal.
Paprekshmëria i ka lënë Dritan Agollit dorë të lirë për të vazhduar pazaret me tenderët, shumica të sajuar për projekte fantazmë me skemën “100 fshatra turistikë”, që nuk kryhen ose kryhen pjesërisht dhe më pas plotësohen dokumentet.
Ai përdor edhe marifete, me shpallje tenderësh për investime që duhen kryer nga pushteti lokal, të cilët i anulon dhe i kalon te subjektet private, me justifikimin e mungesës së kapaciteteve.
Kështu ka vepruar drejtori Dritan Agolli me projektin publik: “Ndërtimi i infrastrukturës së modeleve të integruara në zonën me potencial zhvillimi të Divjakës, për fermën e dijes dhe agroturizmit të ullishteve”, me fond limit rreth 6 milionë euro me TVSH.
Për më shumë, klikoni në linkun e lajmeve të orës 12.00
Lini një Përgjigje