Pas disa ditësh në të cilat aksi rrugor Librazhd–Përrenjas ishte i pakalueshëm si pasojë e një shembjeje, duke sjellë vështirësi për lëvizjen e qytetarëve dhe ndikim në rritjen e çmimeve të produkteve, të biletave të udhëtimit si dhe dëme për sektorin e turizmit, Autoriteti Rrugor Shqiptar njofton rikthimin e qarkullimit.
ARRSH bën me dije se sot në orën 12:00 do të rikthehet qarkullimi në këtë segment për të gjitha mjetet, përfshirë edhe ato të tonazhit të rëndë, duke respektuar kufirin e ngarkesës prej 8.2 ton.
Sipas ARRSH, segmenti do të funksionojë përkohësisht me sinjalistikë kantieri dhe do të jetë i paasfaltuar deri në stabilizimin e shtresave, proces pas të cilit do të kryhet asfaltimi përfundimtar.
“Qarkullimi do të kryhet përmes një devijimi provizor, të ndërtuar ngjitur me pozicionin ekzistues të mëparshëm, deri në realizimin e plotë të rrugës alternative, tashmë të bërë publike, në shtratin e lumit Shkumbin dhe të integruar me trupin e hekurudhës.
Segmenti do të funksionojë me sinjalistikë kantieri dhe, përkohësisht, do të jetë i paasfaltuar deri në stabilizimin e shtresave, pas së cilës do të kryhet asfaltimi përfundimtar. Duke kërkuar mirëkuptim nga të gjithë përdoruesit e rrugës si dhe banorëve të zonës, u bëjmë thirrje të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore, për të garantuar një qarkullim të sigurt për të gjithë”, vijon njoftimi.
Lini një Përgjigje