TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet23 Qershor 2026, 11:51

UPDATE/ Edicioni Informativ, ora 12:00

Shkruar nga Pamfleti

UPDATE/ Edicioni Informativ, ora 12:00

Lexues të “Pamfleti” ju ftojmë të ndiqni edicionin informativ të mesditës, ku mes të tjerash veçojmë:

Edi Rama flet për Financial Times/ Nuk përmbahet kryeministri: Atyre që më akuzojnë u them 'F*ck You'!

Kryeministri Edi Rama ka mohuar akuzat se ai është “Kumbari” i Shqipërisë, ndërsa vendi po përballet me javë të tëra protestash kundër korrupsionit, të nxitura nga projekti i një resorti luksoz të lidhur me Jared Kushnerin, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump.

E ashtuquajtura “Revolucioni i Flamingove” nisi si reagim ndaj planeve të Jared Kushnerit dhe Ivanka Trump për ndërtimin e një projekti me vlerë rreth 4 miliardë dollarë në një ishull dhe në afërsi të një rezervati natyror të njohur për flamingot. Protestuesit kanë kërkuar dorëheqjen e Ramës dhe ndjekjen e tij penale, duke argumentuar se korrupsioni sistemik po u mundëson investitorëve ndërkombëtarë të ndërtojnë në zona të mbrojtura.

“Njerëzit thonë se unë jam udhëheqësi i gjithë kësaj. Unë u them shkoni në djall. Kaq e thjeshtë”, deklaroi Rama.

“Nuk është detyra ime të provoj se nuk jam Kumbari; është detyra e tyre të provojnë se jam.”

Protestat kulmuan në Tiranë, ku mijëra qytetarë kanë dalë në rrugë për më shumë se tre javë radhazi, duke kundërshtuar projektin turistik dhe duke kërkuar më shumë transparencë në vendimmarrjen publike.

Ndërkohë, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lëshuar urdhër-arreste për më shumë se një duzinë biznesmenësh të dyshuar për trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash. Mes tyre ndodhet edhe një person që më parë kishte në pronësi toka në zonën ku parashikohet të zhvillohet projekti i Kushnerit dhe Ivanka Trump.

Një zëdhënës i Kushnerit dhe partnerëve të tij në Shqipëri nuk iu përgjigj kërkesave për koment.

Të enjten seancë plenare/ PD kërkon mocion me debat për kërkesat e protestuesve dhe raportin e PE-së

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i ka drejtuar Kuvendit një kërkesë për zhvillimin e një mocioni me debat, duke vlerësuar se protestat e vazhdueshme qytetare dhe shqetësimet e ngritura mbi transparencën e qeverisë duhet të trajtohen menjëherë në Parlament.

Në kërkesën e firmosur nga kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, thuhet se protestuesit kanë artikuluar pesë kërkesa kryesore: largimin e qeverisë, shfuqizimin e kuadrit ligjor për investimet strategjike, anulimin e legjislacionit të njohur si “Paketa e Maleve”, si edhe shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura dhe në ligjin për trashëgiminë kulturore.

Sipas Partisë Demokratike, këto çështje janë ngritur prej kohësh edhe nga opozita, e cila ka depozituar në Kuvend nisma ligjore që synojnë shfuqizimin e këtyre akteve.

Më herët, Partia Demokratike ka kërkuar gjithashtu zhvillimin e një mocioni me debat lidhur me Raportin e Komisionit Europian për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Rokadë në Policinë e Shtetit/ Emërohen drejtuesit e rinj në Shkodër, Kukës dhe Dibër

Policia e Shtetit ka ndërmarrë një valë të re lëvizjesh në nivelet drejtuese, pas përfundimit të procedurave konkurruese për drejtuesit e qarqeve dhe në kuadër të ristrukturimit të disa funksioneve kyçe në organizatë.
Ardrit Elmazi është emëruar Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës, ndërsa Dashamir Spaho do të drejtojë Policinë e Shkodrës. Në krye të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër është caktuar Xhevahir Karaj, i cili rezultoi fitues në procesin e konkurrimit për drejtues qarku.

Ndërkohë, Armir Gjikolaj, që mbante detyrën e drejtorit të Policisë Dibër, ka lënë postin me kërkesën e tij dhe është transferuar në drejtimin e Qendrës së Mbyllur të të Huajve.
Ndryshime janë bërë edhe në nivelet e tjera drejtuese. Idris Daulle është emëruar zëvendësdrejtor për Sigurinë

Publike në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës. Në Shkodër, Erion Duma do të drejtojë Komisariatin e Policisë së qytetit, ndërsa Klodjan Çeka është caktuar shef i Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe.

Po ashtu, Sokol Myrta është emëruar në krye të Komisariatit të Policisë Mirditë, në varësi të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë.

Këto emërime vijnë në vijim të procesit të riorganizimit dhe forcimit të strukturave drejtuese të Policisë së Shtetit.

Skandali në Vuno/ Gazetari: Vangjel Tavo po hap rrugë për tek tokat e Edi dhe Olsi Ramës

Gazetari Arjan Konomi ka hedhur akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, vëllait të tij Olsi Rama dhe kryebashkiakut të Himarës, Vangjel Tavo, duke pretenduar se në zonën e Vunoit po kryhen punime për hapjen e një rruge që, sipas tij, do të shërbejë për të krijuar akses drejt një sipërfaqeje të madhe toke që lidhet me familjen Rama.

Në një reagim nga terreni, Konomi shfaq pamje të punimeve në zonë dhe pretendon se ndërhyrjet kanë ndryshuar ndjeshëm peizazhin natyror.

“Shikojeni atje mbrapa meje si duket gjithë ajo digë dheu, mal dheu që është krijuar. Por dua t’ju tregoj tani, shikoni si është kjo rruga me lisa, vegjetacion të jashtëzakonshëm. Shikojeni këtë tmerr, kamionët vazhdojnë”, shprehet ai.

Më tej, gazetari akuzon drejtpërdrejt Vangjel Tavon dhe familjen Rama për projektin që po zhvillohet në zonë.

“Skandali më i madh këtu është se Vangjel Tavo po e bën në bashkëpunim me Edi Ramën. Edi Rama, Olsi Rama dhe kushërinjtë e tij, këtu në këto maja ku ndodhet edhe manastiri i Skutarajt, deri poshtë në plazhin e Jalës, flitet për mbi 100 hektarë tokë që lidhen me Edi Ramën dhe Olsi Ramën”, deklaron Konomi.

Sipas tij, punimet për hapjen e rrugës po kryhen për shkak se zona ku ndodhen këto prona nuk ka pasur më parë akses të përshtatshëm.

“Në këtë zonë po bëhet hyrja sepse këtu ka pasur gryka dhe rrëpira. Ajo tokë nuk është e aksesueshme dhe po bëhet gjithë kjo për të krijuar mundësinë që të lidhet me pronat që zbresin deri në Jalë. Nga faqja që zbret drejt Jalës është e pamundur të ndërtohet apo të shkohet sepse është shumë e pjerrët”, u shpreh ai.

Për më shumë, klikoni në linkun e lajmeve të orës 12.00 

 

edicioni i lajmeve pamfleti

Lini një Përgjigje