Kryeministri Edi Rama ka ndarë këtë të martë në rrjetet sociale fotografinë e një protestuesi të ulur përpara godinës së Kryeministrisë, duke shprehur mendimin se një pjesë e protestuesve po përdoren nga individë të caktuar për interesa të tyre.
Postimit të Ramës i është përgjigjur vetë personi, foton e të cilit kryeministri ka ndarë.
Erlis Sina e ka kundërshtuar mesazhin e kryeministrit, duke e cilësuar si përçmues për protestuesit përpjekjen për t’i paraqitur ata si një turmë të mashtruar ose të manipuluar.
Sipas Sinës, pjesëmarrja e tij në protestë nuk lidhet me ndikimin e askujt, por me bindjen e tij për përgjegjësitë politike që kanë çuar vendin në situatën aktuale. Ai thekson se qytetarët nuk dalin në shesh për shkak të algoritmeve, influencuesve apo thirrjeve politike, por për shkak të problemeve që përballin çdo ditë.
Sina i është drejtuar drejtpërdrejt kryeministrit, duke e akuzuar atë për përgjegjësi në lidhje me emigrimin e të rinjve, padrejtësitë sociale dhe arrogancën e pushtetit. Ai shprehet se përpjekja për t’i paraqitur protestuesit si të manipuluar nuk është shenjë mirëkuptimi, por përçmim ndaj tyre.
Reagimi i plotë i Erlis Sinës:
Përgjigje e detyruar për Edi Ramën!
UNË NUK JAM TI!
Mos më thuaj se te fotografia ime sheh veten tënde.
Unë nuk jam ti.
Unë nuk jam ai që ka pushtetin prej vitesh në dorë.
Nuk jam ai që firmos vendime që ndryshojnë jetët e njerëzve.
Nuk jam ai që kontrollon institucionet, buxhetet dhe fatet e këtij vendi.
Ti je.
Prandaj mos guxo të më thuash se halli im është si halli yt.
Ti nuk je viktima e halleve të mia.
Ti je autori i tyre.
Je autori i emigrimit të mijëra të rinjve që nuk panë më të ardhme në Shqipëri.
Je autori i padrejtësive që i detyrojnë njerëzit të largohen nga vendi i tyre.
Je autori i arrogancës së një pushteti që nuk dëgjon më askënd përveç vetes.
Kur thua se ke frikë nga ata që mund t’i bëjnë keq Shqipërisë, harro një gjë:
Nuk ka humnerë më të thellë se vjedhja e votës.
Nuk ka humnerë më të thellë se grabitja e pronës.
Nuk ka humnerë më të thellë se shkatërrimi i dinjitetit.
Nuk ka humnerë më të thellë se vjedhja e së ardhmes së një brezi të tërë.
Mijëra njerëz nuk mbushin sheshet sepse i manipulon algoritmi.
Nuk protestojnë sepse ua kërkojnë influencerat.
Nuk zemërohen sepse ua dikton opozita.
Ata dalin në shesh sepse jetojnë realitetin çdo ditë.
Sepse paguajnë faturat.
Sepse kërkojnë punë.
Sepse presin në spitale.
Sepse shohin fëmijët të largohen.
Sepse ndihen të huaj në vendin e tyre.
Dhe kur ti përpiqesh t’i paraqesësh si turmë të përdorur, nuk po i kupton.
Po i përçmon.
Fotografia ime në murin tënd më bën pis.
Mos e përdor për të larë përgjegjësitë e tua.
Mos e përdor për të fshehur dështimet e tua.
Mos e përdor për të ndërtuar historinë tënde si shpëtimtar.
Unë nuk jam ti.
Dhe nëse jam në shesh, nuk jam aty sepse më ka mashtruar dikush.
Jam aty sepse e di shumë mirë kush më ka sjellë deri këtu.
Lini një Përgjigje