
Në këtë Edicion Informativ ju ftojme të ndiqni zhvillimet kryesore deri në këtë orë të ditës:
Nga përplasjet politike te tensionet ndërkombëtare: Zhvillimet kryesore
Dita u dominua nga zhvillime të forta politike në vend dhe jashtë tij. Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u takua me një delegacion të Partisë Popullore Europiane (PPE), ndërsa paralajmëroi se protesta e 28 shkurtit do të jetë “ndryshe”, duke e cilësuar Partinë Socialiste si “organizatë kriminale”.
Në Bruksel, drejtuesi i SPAK, Klodian Braho, mori pjesë në takimin e Komitetit të Drejtësisë dhe Sigurisë, ku Bashkimi Europian kërkoi prova konkrete për avancimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Në planin e drejtësisë, Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë nisi hetim disiplinor ndaj gjyqtares së GJKKO-së, Irena Gjoka, e cila ka deklaruar në KLGJ se nuk ka pasur dijeni për një dënim të mëparshëm në Greqi.
Debati për infrastrukturën u rikthye pas shembjes së segmentit Librazhd–Prrenjas. Banka Botërore kritikoi situatën e transportit, ndërsa nga Shkupi u njoftua se kamionët kanë nisur të qarkullojnë nga pika e Bllatës. Deputetja Jorida Tabaku akuzoi qeverinë për 3.8 miliardë euro të shpenzuara në rrugë pa rezultat, duke deklaruar se “kemi rrugë të florinjta që po shkërmoqen” dhe se juglindja është izoluar si në kohë lufte.
Ndërkohë, një media austriake fshiu një artikull që pretendonte ekzistencën e një videoje intime për zëvendëskryeministren Belinda Balluku, lajm që qarkulloi në disa portale shqiptare pa prova të verifikuara.
Tensione pati edhe në terren, ku në zonën e njohur si “Rrjolli” banorët u përplasën me policinë në përpjekje për të ndalur punimet e një resorti; gjashtë persona u arrestuan dhe raportohen të lënduar.
Në arenën ndërkombëtare, Shqipëria pritet të dërgojë 300 trupa në misionin e Gazës në kuadër të nismës “Bordi i Paqes”, me një kosto rreth 100 milionë euro në vit. SHBA shpalli “non-grata” disa biznese në Tiranë për arsye sigurie, ndërsa Gjermania anuloi mbi 8 mijë leje qëndrimi, 661 prej tyre për shtetas shqiptarë.
Në Kosovë, sekuestrimi i 1 milion eurove në kufi me Serbinë çoi në pezullimin e efektivit Aurel Kaziu. Ndërkohë, Glauk Konjufca deklaroi se një kandidat për president nga familja Jashari do të miratohej me konsensus të plotë, përballë synimit të Vjosa Osmanit për mandat të dytë.
Në SHBA, Donald Trump deklaroi se Irani ka raketa që mund të godasin Evropën, ndërsa në çështjen “Epstein” raportohet për zhdukjen e mbi 90 intervistave të FBI-së dhe Bill Gates kërkoi falje për lidhjet e tij me financierin e ndjerë.
Lini një Përgjigje