Një tjetër vatër zjarri është shfaqur pasditen e së dielës në zonën me kallamishte pranë plazhit të Tales, në Lezhë, duke përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme përgjatë vijës bregdetare.
Sipas informacioneve nga terreni, flakët janë favorizuar nga era e fortë, duke u përhapur me shpejtësi në një zonë që shtrihet nga rreth 500 metra deri në afërsisht 1 kilometër.
Në vendngjarje kanë ndërhyrë forcat zjarrfikëse të Lezhës, të cilat po përballen me vështirësi për shkak të terrenit të papërshtatshëm. Prania e kënetave mes plazhit dhe zonës së përfshirë nga zjarri e bën të pamundur afrimin e mjeteve zjarrfikëse pranë vatrës, duke e vështirësuar operacionin e shuarjes.
Pranë zonës së prekur ndodhen edhe disa struktura turistike dhe shërbimi. Për këtë arsye, ekipet zjarrfikëse janë vendosur në gatishmëri pranë tyre, me qëllim ndërhyrjen e menjëhershme në rast se flakët avancojnë drejt objekteve.
Përfaqësuesi i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, Agustin Pepkolaj, deklaroi për mediat se automjetet e shërbimit zjarrfikës janë të pranishme në terren dhe se, pavarësisht përhapjes së zjarrit dhe erës së fortë, deri tani është bërë e mundur që të mos rrezikohet asnjë biznes apo banesë.
"Është bërë e mundur që automjetet e shërbimit zjarrfikës të jenë prezent. Zjarri është i përhapur në gjithë territorin. Edhe pse era është favorizuese, kemi bërë të mundur që të mos jetë në rrezik asnjë biznes apo banesë. Kemi mundur të lokalizojmë flakët", u shpreh Pepkolaj.
Autoritetet vijojnë monitorimin e situatës, ndërsa operacioni për izolimin dhe shuarjen e plotë të zjarrit vazhdon.
Lini një Përgjigje