TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet10 Dhjetor 2025, 19:46

Vendet i zënë ambasadorët, KLP përzë gazetarët nga procesi për zgjedhjen e kreut të SPAK  

Shkruar nga Pamfleti

Vendet i zënë ambasadorët, KLP përzë gazetarët nga

Dyndje ambasadorësh për të ndjekur nga afër seancat dëgjimore me kandidatët për kreun e SPAK

Mandati trevjeçar i Altin Dumanit në krye të SPAK po i vjen fundi, dhe nesër Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të vendosë se kush do e marrë stafetën. Në garë janë katër kandidatë: Klodian Braho, Doloreza Musabelliu, Adnan Xholi dhe Elvin Gokaj, të gjithë të certifikuar si të “kualifikuar”, por asnjëri pa historik afërsie me sistemin apo me zyrat e huaja që sot kanë prioritet hyrje mbi gazetarët.

KLP ka njoftuar se seanca e diskutimit dhe votimit për kreun e ri të Prokurorisë së Posaçme do të zhvillohet pa praninë e medias. Arsyeja? Salla është “e vogël” dhe ka shumë ambasadorë të konfirmuar. “Lutemi për mirëkuptim”, thuhet në njoftimin zyrtar. Por për gazetarët kjo tingëllon si: “Hajdeni shikoni në TV çfarë ju servirim”. RTSH do të jetë i vetmi burim informimi, në një proces ku gjithçka pritet të vendoset me një votë më shumë, pa nevojë për shumicë të cilësuar.

Duke qenë se ditën e nesërme është konfirmuar një numër i madh i përfaqësuesve nga ambasadat, lutemi për mirëkuptimin tuaj për prezencën mediatike në sallë. Siç edhe e dini, salla është relativisht e vogël për t’ju akomoduar të gjjthëve, ndaj ju lutem të ndiqni seancën direkt nga sinjali RTSH-së”, thuhet në njoftimin zyrtar të KLP-së.

Në thelb, kemi të bëjmë me një votim vendimtar për institucionin më të rëndësishëm të drejtësisë penale, ku fati i dosjeve sensitive dhe hetimeve ndaj korrupsionit të nivelit të lartë varet nga një vendim që merret pa publikun, por në prani të ambasadave.

Jo se do të ndodhë ndonjë gjë e madhe nesër, pasi emri është caktuar kohë më parë, por gazetarët duhet të jenë prezentë dhe të shohin nga afër debatet dhe diskutimet, pasi bën vaki që sinjali edhe ndërpritet kur preken interesa të caktuara.

 

Lini një Përgjigje