
SPAK nuk gjen prova për fshehje pasurie nga Zaganjori...
Pas hetimeve disa mujore për fshehje pasurie, Prokuroria e Posaçme ka vendosur të mos çojë për ndjekje penale ish-kryetarin e Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori. Kërkesa e SPAK për pushimin e procedimit penal ndaj tij është pranuar nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), me argumentin se "fakti penal nuk ekziston".
Vendimi është dhënë nga gjyqtari Erjon Bani, i cili ka firmosur mbylljen e dosjes me nr. 137, pasi nga hetimet nuk janë gjetur prova të mjaftueshme për të justifikuar ngritjen e një akuze për fshehje ose deklarim të rremë të pasurisë. Ky zhvillim vjen disa vite pasi Zaganjori u shkarkua nga detyra për të njëjtin shkak gjatë procesit të vettingut.
Xhezair Zaganjori drejtoi Gjykatën e Lartë deri në vitin 2019, kur u shkarkua nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit pas një rekomandimi të ONM-së. Edhe pse Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e kishte konfirmuar fillimisht në detyrë, Komisioneri Publik apeloi vendimin, duke theksuar se Zaganjori kishte probleme të theksuara me justifikimin e pasurive të tij dhe të familjes.
KPA vuri në dukje mospërputhje në deklarimet për një shtëpi, dyqan, garazh dhe një bibliotekë në pronësi të tij, si dhe dyshime mbi pagesat për shkollimin e fëmijëve jashtë vendit. Relatorja e çështjes, Albana Shtylla, deklaroi në seancë se "subjekti Zaganjori ka bërë deklarime të pasakta dhe nuk justifikon burimet".
Pavarësisht këtyre gjetjeve të vettingut, SPAK nuk ka arritur të mbledhë prova penale që të mbështesin një akuzë të qëndrueshme në gjykatë. Me këtë vendim, ish-magjistrati i shpëton ndjekjes penale, por mbetet jashtë sistemit.

Lini një Përgjigje