Aktualitet 1 Dhjetor 2023, 21:18

Vendet mike dhe armike për shqiptarët, SHBA "bie" nga kreu

Shkruar nga Pamfleti

Vendet mike dhe armike për shqiptarët, SHBA "bie" nga kreu

Shqiptarët kanë renditur se cilet janë vendet mike dhe armike me Shqipërinë në sondazhin e fundit të Barometrit.

Italia, Gjermania, SHBA-ja, Turqia janë sipas renditjes së qytetarëve më miqësore me vendin tonë në krahasim me 14 vende të tjera të listuara në pyetjen drejtuar atyre. Përkatësisht Italia 98 përqind, Gjermania 92 përqind, SHBA 91 përqind dhe Turqia 90,5 përqind.

Në analizën e mëtejshme të këtij vleresimi rezulton se vendet më armiqësore sipas tyre janë Serbia dhe Rusia.

Kjo gjë konfirmohet edhe në pyetjen e drejtpërdrejtë të Barometrit për vendet armike, ku Serbia kryeson listën e vendeve të vleresuara si më armiqësore me 49,7 përqind, ndjekur nga Rusia me 49 përqind.

Një vlerësim më neutral për të qenit miqësor me vendin tonë, qytetarët e kanë për vendet e tjera europiane si Britania e vlerësuar me 67.4 përqind si mike dhe 6.6 përqind si armike, apo vendet e Ballkanit Perëndimor dhe rajonit.

Kjo renditje në analizën e të dhënave të krahasuara më një vit më parë nuk ka ndryshime çka tregon se kjo është një bindje kulturore dhe historike dhe jo rastërore për qytetarët shqiptarë.

Po kështu edhe krahasimi i vlerësimit për miq dhe armiq të shqiptarëve nuk ka diferencë të dukshme në grupmosha të ndryshme, por është pak a shumë një vlerësim në të njejtat nivele.