
Në ditën e 47-të të protestës, qindra qytetarë marshuan sërish drejt Kryeministrisë, duke kërkuar dorëheqjen e Edi Ramës, largimin e gjithë klasës politike dhe ndryshim të mënyrës së qeverisjes.
Qytetarët janë mbledhur edhe këtë të enjte përpara Kryeministrisë, në ditën e 47-të të protestës së tyre, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Ajo që nisi si një reagim kundër projektit në zonën e mbrojtur të Zvërnecit është shndërruar në një lëvizje me kërkesa më të gjera, ku protestuesit akuzojnë qeverinë për korrupsion dhe keqqeverisje.
Qindra qytetarë u grumbulluan fillimisht në sheshin "Skënderbej", dhe më pas marshuan drejt godinës së Kryeministrisë. Gjatë tubimit, aktivistë dhe qytetarë do të mbajnë fjalime dhe do të shprehin pakënaqësitë për mënyrën e qeverisjes, situatën ekonomike dhe standardin e jetesës në vend.
Protestuesit deklarojnë se nuk do të tërhiqen derisa kryeministri Rama të japë dorëheqjen. Njëkohësisht, ata kërkojnë edhe largimin e kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, si dhe të gjithë klasës politike.
Ashtu si edhe në protestat e mëparshme, tubimi do të shoqërohet me brohoritje, këngë patriotike dhe pankarta me mesazhe ironizuese ndaj qeverisë dhe politikës.
Gjatë marshimit drejt Kryeministrisë u dëgjuan thirrjet: "Rama ik!", "Berisha ik!", "Ikni të gjithë!", "Poshtë kasta politike!", "Duam Shqipërinë si gjithë Europa!", "Qeveria dhe politika janë kthyer në harem!", "Jep dorëheqjen!", "Ju erdhi fundi!".
Me flamuj kombëtarë dhe pankarta në duar, protestuesit kërkojnë ndryshim të sistemit politik dhe rikthimin e demokracisë përfaqësuese.
Sipas organizatorëve, protestat do të vijojnë çdo ditë deri në plotësimin e kërkesave të tyre. Gjatë marshimit në bulevardin para Kryeministrisë pati brohoritje të vazhdueshme, këngë patriotike dhe pankarta ironizuese drejtuar qeverisë dhe gjithë klasës politike.
Lini një Përgjigje