Mediat ndërkombëtare raportojnë shpërthime të fuqishme, Dubai i mohon...
Konflikti mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit duket se po hyn në një fazë të re dhe më të rrezikshme, me përplasjet që po zgjerohen përtej territorit iranian dhe po prekin gjithnjë e më shumë vendet e Gjirit Persik.
Mbrëmjen e së enjtes, dëshmitarë okularë raportuan shpërthime të forta në qendër të Dubait, në Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa, sipas raportimeve të para, raketa u interceptuan mbi qytet.
Sipas The Times of Israel, shpërthimet ndodhën në kohën kur SHBA-ja vazhdon sulmet ndaj objektivave iraniane dhe, sipas raportimeve, edhe disa shtete të Gjirit janë përfshirë në operacione ushtarake kundër Iranit. Në të njëjtën kohë, Teherani ka intensifikuar sulmet hakmarrëse ndaj vendeve të rajonit që strehojnë baza dhe trupa amerikane.
Edhe Euronews, duke cituar gazetarët e saj në Dubai, raportoi se mbi qendrën e qytetit u dëgjuan shpërthime të fuqishme, ndërsa sistemet e mbrojtjes ajrore dyshohet se interceptuan raketa iraniane.
Këto zhvillime vijnë vetëm pak javë pas armëpushimit mes SHBA-së dhe Iranit dhe marrëveshjes kornizë të arritur në mesin e qershorit për t'i dhënë fund luftës. Megjithatë, situata është përkeqësuar me shpejtësi. Vetëm pak ditë më parë, Irani goditi dy anije të Emirateve të Bashkuara Arabe në Ngushticën e Hormuzit, duke sinjalizuar se është i gatshëm ta zgjerojë konfliktin në rrugët strategjike të transportit të naftës.
Përshkallëzimi i fundit ka rritur frikën se konflikti SHBA-Iran mund të shndërrohet në një luftë rajonale me pasoja të gjera për sigurinë dhe tregjet globale të energjisë.
Megjithatë, Zyra e Medias e Qeverisë së Dubait mohoi raportimet për shpërthime, duke i cilësuar ato si "të pasakta".
"Njoftimi i Reuters për zhurma shpërthimesh në qendër të Dubait është i pavërtetë dhe përmban informacione të pasakta. U bëjmë thirrje mediave dhe publikut që të mbështeten vetëm në burime zyrtare dhe të besueshme, të verifikojnë informacionin përpara publikimit dhe të shmangin përhapjen e thashethemeve apo raportimeve të pasakta", thuhet në deklaratën e publikuar në platformën X.
Deri tani nuk ka një konfirmim të pavarur mbi natyrën e shpërthimeve të raportuara, ndërsa situata në Lindjen e Mesme mbetet jashtëzakonisht e tensionuar, me shqetësimet se përplasja mes Uashingtonit dhe Teheranit po hyn në një fazë të re zgjerimi.
Lini një Përgjigje