
Ka marrë tjetër rrjedhë gjyqi ndaj Fatmir Mediut. Edhe pse për disa javë të gjithë po presin pretencën e prokurorisë për ish-ministrin e Mbrojtjes sa i takon tragjedisë së Gërdecit, as sot nuk ndodhi një gjë e tillë.
Gjykata shtyu seancën, duke pranuar familjarët e viktimave të tragjedisë si palë në proces. Edhe pse familjarët kanë 3 muaj që e kërkojnë këtë gjë, gjykata vetëm tani e pranoi këtë kërkesë, duke bërë që tani procesi të ndryshojë. Kjo pasi familjarët do të pyeten dhe do të merren parasysh kërkesat e tyre.
GJKKO mori vendimin për të njoftuar 290 personat e dëmtuar të cilët do të marrin pjesë në seancën e radhës. Ky zhvillim ka dy anë. Nga njëra anë përmes kësaj lëvizje ndoshta gjyqi do të zvarritet. Por nga ana tjetër është një fitore për familjarët, pasi deklaratat dhe qëndrimet e tyre ndoshta do të bindin gjykatën dhe prokurorinë që Fatmir Mediu të mos ja hedhë paq.
Gjykata kaloi për gjykim që në muajin prill dosjen për Mediun. Para kalimit për gjykim pati shumë zvarritje. Por edhe pasi nisi gjyqi, nuk ka pasur asnjë seancë të plotë. Mediu përdori shumë manovra për t’i shpëtuar ndëshkimit. Avokatët e tij kërkuan gjykim të shkurtuar dhe gjykata e pranoi. Pas kësaj u kërkua pretenca e prokurorisë. Por pretenca ka 3-4 seanca që shtyhet.
Ndërkohë sot Mediu doli me një kërkesë të re, duke mos pranuar gjykim të shkurtuar. Nëse pranohet kërkesa e tij, gjyqi mund të kalojë në hapa normalë dhe do të thotë se do të kemi sërish zvarritje. Po ashtu duket sikur dhe drejtësia nuk është aq e gatshme të japë një vendim një herë emirë për këtë rast.
Fatmir Mediu akuzohet nga SPAK për shpërdorim detyre në dy raste. Ndërkohë familjarët e viktimave kërkojnë që ai të dënohet për vrasje. Mbetet të shihet tani se çfarë rrjedhe do të marrë gjyqi.
Dorian Matlija, avokati i familjes Durda, familje e cila humbi djalin në tragjedinë e Gërdecit në 2008, u shpreh se tashmë familja është palë në çështjen e penale e do të luftojë krah për krah për të kërkuar drejtësi.
"Historia e pjesëmarrjes së viktimave në çështjet penale është një luftë shumë e gjatë. Viktimat janë pjesë procesit dhe janë krah për krah për të zgjedhur çështjen. Do të bënte një shpallje publike. Ata kanë të drejta për të shkruar çdo lloj gjëje. Është një fitore për familjen Durda, pasi ka bërë përpjekje shumë kohë më parë. Prova të reja në gjykim të shkurtuar nuk mund të paraqiten dot. Në gjykim të zakonshëm çdo gjë mund të ndodhë. Unë dua të them se interesi i familjarëve është në mënyrë konsistent. Vetëm e vërteta i çlirojnë njerëzit", tha Matlija.
Ndërsa, Zamira Durda u shpreh se kjo është një fitore e vogël për to. Ajo tha se djali i saj u vra me urdhër të ministrit.
"Një fitore e vogël. Të shikojmë si do të ecë. Provat janë publike. Armatimet erdhën urdhri i ministrit e bëri vrau djalin tim", tha Durda.
Lini një Përgjigje